Lëvizja FOL ka publikuar të dhënat e analizës së Programit të Qeverisë së Kosovës për vitet 2021-2025. Sipas këtyre të dhënave, ekzekutivi ka dështuar të realizojë objektivat e tij kryesore për shkak të ngecjeve procedurale e mungesës së përgatitjes teknike, si dhe moskoordinimit institucional. Kjo organizatë ka publikuar edhe të dhënat nga monitorimi i Planit Kombëtar për Zhvillim për periudhën janar-dhjetor të vitit 2024
Edhe pse ishte promovuar gjerësisht nga qeveria, përgatitja e padisë për gjenocid kundër Serbisë, e cila ishte ndër nismat kryesore të Programit të Qeverisë, nuk ka treguar progres konkret, thuhet në raportin “Analiza e Programit të Qeverisë së Kosovës 2021-2025”, që e ka publikuar të martën Lëvizja FOL.
Drejtoresha ekzekutive e kësaj organizate, Mexhide Demolli Nimani, tha se Qeveria ka dështuar të realizojë objektivat kryesore, si shkak i mungesës së koordinimit institucional dhe ngecjeve procedurale.
“Procesi i vettingut, i prezantuar si një masë për pastrimin e sistemit të drejtësisë nuk ka arritur të kalojë fazën fillestare, duke reflektuar mungesën e një strategjie të qartë dhe vullnetit politik për zbatimin e tij. Për më tepër, përgatitja e padisë për gjenocid kundër Serbisë është promovuar gjerësisht nga qeveria, por deri më tani nuk ka treguar ndonjë progres dhe ka mbetur më shumë si një nismë retorike”, ka thënë Demolli Nimani.
Sipas raportit, ndër problemet kryesore të legjislaturës së cilës i ka përfunduar mandati, ka qenë vonesa në miratimin dhe zbatimin e ligjeve. Si problem u theksua edhe kontestimi për shkelje procedurale.
“Në dhjetor të vitit të kaluar, një grup deputetësh dorëzoi 16 projektligje në Gjykatën Kushtetuese, duke e akuzuar qeverinë për mosrespektim të procedurave ligjore. Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar gjithashtu disa nene të rëndësishme, duke i konsideruar ato në kundërshtim me Kushtetutën. Shfuqizimi i këtyre ligjeve ka nxjerrë në pah jo vetëm mungesën e përgatitjes teknike të qeverisë, por edhe dobësinë në sigurimin e një konsensusi më të gjerë politik dhe institucional për ndërtimin e një marrëveshjeje mes partive politike”, ka thënë Demolli Nimani.
Të martën Lëvizja FOL ka publikuar edhe të dhënat nga monitorimi i Planit Kombëtar për Zhvillim, për periudhën janar-dhjetor të vitit 2024.
Menaxherja e projektit në këtë organizatë, Burbuqe Kastrati tha se nga 544 aktivitete të parapara, Qeveria i ka realizuar 207 prej tyre.
“Zyra e Kryeministrit kishte paraparë 62 aktivitete të realizohen gjatë periudhës janar-dhjetor 2024 në kuadër të planit për zhvillim. Nga to janë realizuar 35 dhe 27 kanë mbetur të parealizuara. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kuadër të planit për zhvillim ka paraparë të realizohen 45 aktivitete, ka realizuar 30, 15 kanë mbetur të parealizuara. Sa i përket Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillim Rural në kuadër të planit për zhvillim ka paraparë të përfundojë 29 aktivitete dhe prej tyre janë realizuar vetëm 19”, tha Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen FOL
Sipas Lëvizjes FOL, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk kishte paraparë aktivitete për periudhën janar – dhjetor të vitit 2024.