Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se regjistrimi i automjeteve të qytetarëve me targa RKS, mund të bëhet në të gjitha Qendrat për Regjistrimin e Automjeteve, në komunën ku pronari e ka vendbanimin.
Në njoftimin e lëshuar nga MPB-ja thuhet se lejohet regjistrimi i veturave me patentë shofer të lëshuar nga Serbia.
“Sipas Udhëzimit Administrativ Nr.03/2022, për regjistrimin e veturave me targa RKS nuk është i domosdoshëm patentë shoferi i Republikës së Kosovës, por vetëm kërkohet patentë shofer me afat të vlefshëm”, thuhet në njoftim.
Më tej është bërë e ditur se lejohet regjistrimi i mjeteve që kanë bërë vazhdimin e regjistrimit me këto targa pas datës 21 prill 2022.
“Mjetet të cilat janë pajisur për herë të parë me targa ilegale brenda periudhës 10 qershor 1999 – 21 prill 2022, por që kanë vazhduar regjistrimin me këto targa pas datës 21 prill 2022, mund të bëjnë regjistrimin e mjeteve me targa RKS”, theksohet në njoftim.
MPB-ja ka njoftuar se nuk është e obligueshme të paguhen taksat doganore në rast të ndërrimit të pronarit pas regjistrimit të mjetit me targa RKS nga targat ilegale.
Për regjistrimin e veturave me targa RKS është e nevojshme të paraqitet Polica e Sigurimit e Republikës së Kosovës.
Ndërsa, certifikata e rregullsisë teknike duhet të paraqitet vetëm në rastet kur mjetet me targa ilegale nuk kanë certifikatë të regjistrimit me afat vlefshmërie.
“Dokumenti i identifikimit të Republikës së Kosovës është i domosdoshëm për regjistrimin e mjeteve me targa RKS. Shtetasit e Republikës së Kosovës që nuk posedojnë letërnjoftim të Republikës së Kosovës mund të bëjnë kërkesë për të nxjerrë këtë dokument, i cili do të lëshohet në një afat kohor nga 3-5 ditë nga data e aplikimit”, thuhet më tej në njoftim.