Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, ka treguar se serbët e kanë kërcënuar nëpërmjet rrjeteve sociale, pasi ai dorëzoi rezolutën në Parlamentin e Ukrainës, ku kërkohet që të njihet pavarësia e Kosovës.
Në një intervistë për “Euronews Albania”, Goncharenko tha se ka marrë mbështetje nga shumë njerëz në Kosovë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Nga Kosova njoh shumë njerëz që më mbështesin dhe më shkruajnë, pjesa më e madhe nga rrjetet sociale. Ka edhe nga Serbia të cilët kanë reaguar, pjesa më e madhe e tyre kanë nisur kërcënime, por mua kjo nuk më intereson”, theksoi ai.
Goncharenko deklaroi se në lidhje me rezolutën, ka pasur reagime edhe në Ukrainë, teksa shtoi se një pjesë e deputetëve e kanë mbështetur.
“Ka disa reagime brenda shtetit, pjesa më e madhe janë mbështetëse ndaj kësaj rezolute, edhe në media është mbuluar. Sa i përket kolegëve të mi, një pjesë e tyre më kanë kontaktuar për të thënë se më mbështesin. Asnjë deri në këtë moment nuk më ka thënë se nuk e mbështet këtë rezolutë”, nënvizoi deputeti.
Goncharenko në rrjete sociale të shtunën ka njoftuar për dorëzimin e rezolutës me të cilën kërkon nga vendi i tij që ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Kam dorëzuar në Parlamentin e Ukrainës një rezolutë që njeh pavarësinë e Kosovës. Ukraina ndan vlerat perëndimore dhe do të mbështesë demokracinë kudo në botë. Shpresoj se Ukraina do ta njohë pavarësinë e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shkruar ai në Twitter.
Shpresat për një njohje nga Ukraina janë rritur, veçanërisht pas përkrahjes që i ka dhënë Kosova ish-vendit sovjetik në përballje me agresionin rus.
Përveç mbështetjes financiare, Qeveria e Kosovës në mars vendosi të strehojë në Prishtinë rreth 20 gazetarë ukrainas.
Pushtimi rus i Ukrainës ka nisur më 24 shkurt.
Oleksiy Gonchareno 41-vjeçar, pos deputet, është edhe anëtar i delegacionit ukrainas në Asamblenë Parlamentare në Këshillin e Evropës. Po ashtu është zëvendës-president i Komitetit për Migrim, Refugjatë dhe persona të Zhvendosur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Goncharenko në vitin 2019 garoi si kandidat i pavarur dhe u zgjodh deputet.
Ai është i biri i ish-kryetarit të Odessas, Oleksyi Kostusyev.