Arbëri

Pesë orë debat shterpë

Përveç dy projektligjeve për shëndetësinë që nuk i miratuan, deputetët nuk kanë mundur ta shqyrtojnë as projektligjin për financimin e partive politike. Debati disaorësh është konsumuar nga përfaqësuesit e pushtetit e opozitës për akuza të ndërsjella

Ndonëse kanë mbajtur rreth 5 orë debat, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur të miratojnë asnjërin prej projektligjeve të shqyrtuara të premten. Për disa nga to nuk pati kuorum për vendimmarrje e disa të tjerave mbështetje nuk u dhanë deputetët e partive në pushtet. Ligjvënësit nuk kanë arritur ta përmbyllin asnjërën prej dy seancave që ishin caktuar të mbaheshin për të premten. Në këtë mbledhje deputetët nuk kanë mundur ta miratojnë as projektligjin për financimin e partive politike meqë të njëjtin nuk e ka shqyrtuar Komisioni Parlamentar për Komunitete, i cili ka kohë që po e bojkoton punën. Pa u miratuar për mungesë kuorumi ka mbetur edhe Projektligji për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore. Në këtë seancë debat i gjatë u bë kryesisht për shëndetësinë. Akuza e kundërakuza ka nxitur projektligji i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës për rregullimin e çmimit të produkteve mjekësore. Kjo nismë ligjore, sipas PDK-së, kishte për synim ndaljen e abuzimeve me çmimet në sektorin e farmacisë, por në këtë qëllim nuk besonte Lëvizja Vetëvendosje.

“Ky projektligj është për t’i ndalur abuzimet dhe keqpërdorimet në sektorin e farmacisë, dhe tregtinë me barnat, më vjen shumë keq kur vërejtjet për këtë projektligj vijnë prej punonjësve të kompanive farmaceutike dhe kjo e sqaron më mirë pse Vetëvendosje është kundër këtij projektligji”, ka thënë deputetja e PDK-së, Floretë Zejnullahu, gjatë prezantimit të projektligjit.

Mirëpo, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, në përmbajtjen aktuale të hartuar nga PDK-ja, projektligji favorizon kompanitë farmaceutike në të cilat sipas deputetit të kësaj partie, Besim Muzaqi, aksione kanë edhe zyrtarë të PDK-së.

“Pse nuk e rregulluat për dy dekada çështjen e çmimit të barnave dhe pajisjeve dhe produkteve mjekësore. Pranojeni që nuk e kishit qëllim, as tash nuk e keni qëllim rregullimin çmimeve të barnave për qytetarët dhe në interes të qytetarëve, por keni qëllim përshtatjen e tyre për interesa të kompanive dhe zinxhirëve ku ju keni hise”, ka deklaruar ai.

Në pyetjen e tij se pse nuk është sjellë ky projektligj në 20 vjetët e kaluar, u përgjigj deputeti Bekim Haxhiu, i cili për të gjitha të arriturat e shtetit, meritat ia faturoi kryesisht PDK-së.

“E tha kolegu pse nuk e keni bërë më herët për 20 vjet, me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ua kemi sjellë lirinë, me Hashim Thaçin e kemi shpallur pavarësinë, me Ramushin e Kadrinë e kemi bërë ushtrinë, nuk kemi mundur bre t’ua kryejmë të gjitha, më besoni, ju kemi lënë diçka edhe juve, këto ligje të paktën bëni ju”, ka thënë Haxhiu.

Me gjithë polemikat e gjata, ky projektligj nuk arriti të kalonte meqë kundër tij ishin deputetët e partive në pushtet, nga të cilët u tha se projektligjin që rregullon çmimin e barnave në Kuvend do ta sjellë Qeveria.

Fat të njëjtë pati edhe Projektligji për Shëndetësinë i sponsorizuar nga LDK-ja. Qëllimi i këtij projektligji, sipas LDK-së, ka të bëjë me rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe unifikimin e sistemit shëndetësor. Nga kjo parti thanë se ky projektligj është hartuar që të jetë lehtë i zbatueshëm. Por, edhe për të, pushteti deklaroi se është në agjendë të Qeverisë dhe se janë duke bërë reforma, prandaj nuk mund ta marrin parasysh një projektligj të sjellë nga opozita.

“Ligji për Shëndetësi tashmë është në përfundim në Ministrinë e Shëndetësisë dhe pritet të procedohet në Kuvendin e Kosovës. Është e qartë që qeveritë e mëhershme kanë pasur rastin, sidomos propozuesi që të procedojë në Kuvend të njëjtën, por nuk ka ndodhur. Kjo nuk është e pritshme që një qeveri e re të vazhdojë me politika të vjetra”, ka thënë deputetja Fatmire Kollçaku.

Por, kjo qasje e Qeverisë u kritikua nga opozita. Deputeti Driton Selmanaj u shpreh se me refuzimin e këtyre nismave ligjore, Qeveria po e mbyt demokracinë dhe mandatin e lirë të deputetit për iniciativa ligjore.

“Kjo shumicë parlamentare po dëshiron të tregojë arrogancën e numrave. Mund ta bëni këtë, keni vota. Por unë mendoj se kjo nuk është demokratike fare”, ka thënë Selmanaj.

E ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, u shpreh se një projektligj të tillë janë duke e finalizuar dhe do ta sjellin në Kuvend në shtator. Mirëpo, në një mbledhje të mbajtur ditë më parë nga ekzekutivi, afati i miratimit të Ligjit për Shëndetësinë në Qeveri është shtyrë nga 30 shtatori për 26 dhjetor.

“Ky ligj është tashmë në finalizim dhe sipas planit tonë të dy këto ligje do të jenë të adresuara deri më 30 shtator, por ne do ta bëjmë shumë më herët sepse kemi bërë avancime të shkëlqyeshme”, ka thënë ministri Latifi.

Të premten, deputetët në mes të tjerash kanë lënë pa shqyrtuar raporte vjetore të punës së disa agjencive e ndërmarrjeve publike, si dhe kanë mbetur pa miratuar propozim-rezolutën për adresimin e rritjes së çmimeve, e gjithashtu pa bërë debat për mosliberalizimin e vizave nga BE-ja, i cili është thirrur javë më parë.