Drejtori i Organizatës së Turizmit të Ulqinit, Gzim Hajdinaga, ka thënë se presin që të kenë numër më të madh të turistëve nga 15 korriku, megjithëse thekson se ka pasur rënie në 10 ditët e fundit.
Sipas Hajdinagës, pavarësisht krizës, vizitat kanë qenë të kënaqshme në muajin maj dhe qershor.
“Çmimet janë rritur, por duhet të ruajmë një ekuilibër. U kërkoj restoranteve të mos luajnë shumë me çmimet. Duhet të mbajmë këmbët në tokë dhe të mos ngrihemi, sepse në këtë krizë pak njerëz mund të përballojnë pushimet verore”, ka thënë Hajdinaga në “Boje Jutra”, transmeton Vijesti.
Ai thotë se çmimet aktuale nuk janë të pranueshme për xhepin e të gjithëve.
“Maji dhe qershori ishin në nivelin e 2019-s. Kemi pasur një rënie në 10 ditët e fundit, arsye për këtë mund të jetë kriza. Jemi të kënaqur sepse krahasuar me vitin e kaluar dhe deri dje kemi 18 për qind më shumë mysafirë të regjistruar“, ka thënë Hajdinaga.
Hajdinaga u bëri thirrje pronarëve që të raportojnë çdo turist dhe të parandalojnë përsëritjen e situatës së vitit të kaluar kur, siç thotë ai, kishte një numër të madh të pushuesve në qytet dhe statistikat nuk tregojnë një gjë të tillë.
“Nuk është e drejtë që nuk e dimë se kush qëndron në qytetin tonë, shpresoj që këtë vit statistikat të jenë më të mira dhe deri më 15 korrik të ketë një pamje tjetër, që muaji i shtatë dhe i tetë të kenë rezultate të mira. Sipas të dhënave tona, kemi 11,500 turistë”, u shpreh ai.