Përfaqësuesit e Komunës së Ulqinit kanë premtuar se do të mbajnë nivelin e çmimeve gjatë sezonit turistik veror sikur vitin e kaluar. Edhe përfaqësuesit e qyteteve të tjera të Malit të Zi, që morën pjesë në shpalosjen e ofertës turistike për vitin 2022, i kanë vlerësuar shumë të rëndësishëm turistët nga Kosova për arritjen e synimeve në sezonin turistik të këtij viti
Çmime të lira u kanë premtuar përfaqësuesit e sektorit të turizmit në Komunën e Ulqinit, pushuesve të Kosovës për sezonin turistik të këtij viti. Drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, ka theksuar se si Ulqini theu rekordin e vizitave vitin e kaluar, duke potencuar faktin se qyteti shqiptar është edhe më i lirë se Prishtina.
“Mbetet dhe të përulem në emër të ulqinakëve sidomos mediave të Kosovës të cilët vjet e kanë bërë të mundur që Ulqini të shënojë rekord në numrin e turistëve edhe pse me barrierat që i kemi pasur para vetes e siç thashë para një viti që ka qenë COVID-i. Do të bëjmë përpjekje që në Ulqin çmimet të mos të rriten në limite të pakapshme. Marrë në përgjithësi Ulqini është më i lirë se Prishtina, unë jam merakli i ushqimit dhe i frekuentoj restorantet, por Prishtina i ka restorantet më të shtrenjta se në Ulqin. Ndërsa për sa u përket strehimit dhe hoteleve jemi më konkurrentë me çmime sesa edhe Shqipëria”, ka thënë Hajdinaga, në konferencën e mbajtur të premten.
Ai është zotuar në përpjekjen për të evituar rritjen e çmimeve në limitet që mund të mos përballohen nga xhepat e turistëve të Kosovës.
“Në këta 16 kilometra plazhe me zallë dhe 33 kilometër vijë të plotë, Ulqini mundëson të zgjidhni edhe majtas edhe djathtas. Këtë e ofrojmë në koston e çmimit, pra, ka mundësi edhe ata që nuk kanë mundësi financiare më të madhe të zgjedhin diçka më të mirë”, ka shtuar ai.
Premtime për ofertë të volitshme edhe në qendrat e tjera turistike në Mal të Zi ka dhënë edhe Ljiljana Çukiq nga Organizata Nacionale e Turizmit.
“Tregu i Kosovës është shumë i rëndësishëm dhe mysafirët e Kosovës i shohim shumë të rëndësishëm. Viteve të fundit është rritur numri i vizitorëve. Mali i Zi e ka finalizuar ofertën për këtë vit dhe është munduar t’i mbajë çmimet sikur vitin e kaluar, pavarësisht se në këtë kohë çdo gjë po shtrenjtohet. Mali i Zi është i vogël, por është i pasur me oferta të llojllojshme. Ne iu mirëpresim me kënaqësi”, ka thënë ajo.
Edhe
Mali i Zi premton çmime të lira për pushuesit kosovarë
Hysen Sogojeva, përfaqësues i Odës së Hotelierëve të Kosovës, ka thënë se pret që sivjet të thyhet rekordi i vizitorëve nga Kosova në Mal të Zi.
“Të gjitha agjencitë turistike janë të hapura për bashkëpunim”, ka thënë Sogojeva.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe përfaqësuesit e qyteteve të Malit të Zi, përkatësisht Cetinjes, Budvës, Podgoricës, Tivatit e Tivarit.