Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Krerët e Ulqinit paralajmërojnë lehtësime për turistët nga Kosova

Kryetari i Ulqinit, Aleksandër Daboviq, ka paralajmëruar lehtësime për turistët nga Kosova në sezonin turistik të sivjetmë në këtë qytet.

Në një konferencë të mbajtur të mërkurën në Prishtinë, bashkë me drejtorin e Turizmit dhe agjencitë turistike, përfaqësues të Ulqinit kanë paralajmëruar se sivjet mund të priten çmime më të përshtatshme për turistët.

“Insistojmë se do të hasim në mirëkuptim edhe nga qiradhënësit, hotelet, restorantet, që këtë vit çmimet të jenë sa më të përshtatshme për të gjithë”, ka thënë Daboviq, duke iu referuar edhe gjendjes së vështirësuar për shkak të pandemisë.

Daboviq ka shtuar se synimi i Ulqinit qëndron në zhvillimin e një imazhi të përmirësuar të qytetit për turistët kosovarë dhe investimet e reja. Hapa gjithashtu janë marrë nga Komuna e Ulqinit në infrastrukturë, vendet e parkingut dhe fusha të tjera, ka bërë të ditur ai.

Për sa i përket ndryshimeve që priten, potencoi se kryesoret janë më së pari që pikat kufitare të jenë “më transparente”, në mënyrë që të shmangen radhët dhe pritjet. Gjithashtu, pritet që fëmijët nën moshën 18-vjeçare, që janë bashkë me familje, do të mund të hyjnë në Malin e Zi me certifikatë të lindjes.

Rreth lehtësimit të udhëtimit në këtë aspekt, kryetari i Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj, ka kërkuar nga mysafirët që të organizohen korsi të veçanta për autobusët, dhe të hiqet sa më shpejtë pagesa e sigurimit prej 15 eurosh në kufi.

Edhe Mali i Zi premton çmime të lira për pushuesit kosovarë LAJMET E MBRËMJES Mali i Zi premton çmime të lira për pushuesit kosovarë

Ndërsa drejtori i Turizmit në Ulqin, Gëzim Hajdinaga, ka detajuar masat që janë planifikuar për ta siguruar shëndetin e turistëve gjatë kësaj vere në gjendjen e vazhdueshme pandemike. Ai potencoi se 35 për qind e popullatës së Ulqinit deri tani janë vaksinuar, ndërsa deri në 10 qershor është zotuar se do të vaksinohen të gjithë punonjësit e turizmit në vend.

Për më tepër, Hajdinaga ka deklaruar se rëndësi do të ketë edhe trashëgimia kulturore gjatë turizmit veror. Ai ka treguar se çdo mbrëmje do të ketë organizime që kanë të bëjnë me kulturën. Në këtë fushë tregoi edhe planet për organizimin e një turneu kombëtar për gazetarët sportivë dhe organizime të ndryshme me muzikë shqiptare.

Pjesëmarrësit nga Ulqini dhe agjencitë turistike premtuan se do të zhvillohen takime të vazhdueshme në mënyrë që të vazhdojë bashkëpunimi. Kurtishaj nga Oda Ekonomike e Kosovës iu bëri thirrje operatorëve nga Ulqini që ta promovojnë turizmin edhe në pikat turistike të Kosovës.