Pushimet e verës për shumëkënd janë pjesa më e mirë e vitit.
Ndër vendet më të frekuentuara gjatë verës nga kosovarët është Mali i Zi.
E, përpos që e përbëjnë pjesën më të madhe të vizitorëve, ata kanë edhe biznese të tyre atje, si hotele, bare e kafene dhe dyqane.
Ndër vite kontributi i kosovarëve për turizmin në qytetin më të vizituar të Malit të Zi, Ulqin, ka qenë i madh.
Vera e vitit 2020 ka bërë që situata me pandeminë të kthehet në një realitet jo të mirë atje.
Masat kundër përhapjes së koronavirusit e edhe frika nga diçka që atëherë ishte e panjohur bëri që zhvillimi i turizmit në Ulqin të shënojë rënie, tregon Gëzim Hajdinaga.
Sezoni i kësaj vere u hap në fillim të këtij muaji e edhe masat kundër përhapjes së pandemisë u zbutën. Kjo bashkë me çmimet jo shumë të larta të hoteleve, ushqimit e pijeve bënë që numri i vizitorëve të jetë i madh që në fillim të sezonit.
Pushuesit atje tregojnë që më shumë se një herë brenda sezonit e vizitojnë Ulqinin, e se nuk janë vetëm plazhet arsyeja pse e preferojnë këtë vend.
E që kosovarët janë turistët kryesorë në Mal të Zi e shohin nga afër edhe pronarët e hoteleve.
Enkela Bisha, sipërmarrëse e hotelit “Panorama” në Plazhin e Madh të Ulqinit, përpos lidhjes së ngushtë që e ka me Kosovën, ky fakt i jep emocion ende më shumë.
Sidomos pas kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme pandemie.
Njësoj sikur bizneset, edhe qytetarët kanë pasur ngecje financiare të ndikuara nga pandemia, e kjo po kërkohet të merret parasysh edhe për vendosjen e çmimeve gjatë këtij sezoni të verës.