SHSKUK-ja kërkon nga MSH-ja të shtojë numrin e infermierëve
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se të mërkurën do të bëjë kërkesë zyrtare në Ministrinë e Shëndetësisë për shtimin e kapaciteteve infermierore, si përgatitje për një valë potenciale të re të COVID-19.
Sipas tij, situata në vend aktualisht është e qetë dhe numri i të shtrirëve në spitale e klinikat e QKUK-së, si pasojë e COVID-19, sillet rreth 40.
Deklaratën Krasniqi e ka dhënë pas takimit me drejtorët e spitaleve të përgjithshme, ku kërkoi përgatitje për valën e re potenciale.
“Qëllimi i takimi ishte rishikimi i planeve tona. Të rishikojmë infrastrukturën, pajisjet mbrojtëse për personel shëndetësor dhe material shpenzues dhe shtimin e stafit infermier. Ne do të vazhdojmë me ofrimin e shërbimeve sepse numri i pacientëve në klinika nuk është i madh. Ne kemi takime dhe përgatitemi që çdo pacient të ketë mundësi për trajtim të nevojshëm. Ka mungesa sidomos te anesteziologët, pulmologët. Ka mungesa në QKUK. Pjesën më të madhe e kemi te stafi infermier. Sot edhe zyrtarisht po bëjmë përpjekje për staf shtesë të infermierëve”, ka thënë ai, raporton Ekonomia Online.