LAJMET E MBRËMJES

Infermierët që u angazhuan në pandemi protestojnë kundër shkëputjes së kontratave

Infermierëve të angazhuar me kontrata të përkohshme gjatë pandemisë u është ndërprerë marrëdhënia e punës nga data 15 qershor. Nëpërmjet një proteste ata kanë kërkuar vazhdimin e kontratave. Nëse do të mbeten pa punë, ata kanë thënë se alternativë u mbetet braktisja e vendit

Dhjetëra infermierë që ishin punësuar me kontrata të përkohshme pune gjatë kohës së pandemisë kanë kërkuar të hënën nga Qeveria vazhdimin e kontratave.

Ata kanë protestuar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe kanë bërë thirrje që t’u bëhen kontratat e rregullta.

“Ne kemi dalë në protestë për arsye se na janë ndërprerë kontratat më 15 qershor dhe kemi dalë për të kërkuar që të merret vendimi që këto kontrata të kthehen në mënyrë të rregullt, sepse shëndetësia ka nevojë për neve dhe më së shumti këtë mungesën tonë po e vuan pacienti. Atëherë e kishim lutur kryeministrin që këto kontrata të vazhdoheshin dhe të bëheshin të rregullta. Mos të na i hapin dyert drejt Perëndimit”, ka thënë Arbenita Gashi, infermiere.

Sipas saj, mungesa e kontratës po i shtyn atë dhe kolegët e saj që të braktisin vendin.

“Nëse kërkesën tonë nuk e marrin parasysh, atëherë e vetmja rrugëzgjidhje është që të shkojmë drejt Perëndimit, në atë vend ku ne me të vërtetë vlerësohemi”, ka thënë Gashi.

Edhe infermieri Jetullah Sullaku ka thënë t’i jetë shkëputur kontrata pa paralajmërim.

“Nuk na kanë lajmëruar për arsyen përse nuk na është vazhduar kontrata. Nuk kemi marrë një paralajmërim që kjo është koha e ndërprerjes së punës dhe kaq. Ne nuk është se mund të ndërmarrim ku ta di diçka, përveç protestës. Jemi shumë të pakënaqur. Pas gjithë atij mundi që e kemi bërë për një vit, nuk është se e kemi pritur të na shkëputet kontrata kështu. Kemi pritur që të na vazhdohet punësimi të paktën për një vit, dy ose edhe më shumë, pse jo”, ka thënë ai.

Në mbështetje të protestës ishte edhe Bekim Ahmeti, inspektor sanitar i angazhuar në luftën kundër pandemisë COVID-19. Ai ka thënë se 1.270 punëtorë që kanë qenë të angazhuar në luftën anti-Covid janë të gatshëm për të punuar nëse u vazhdohet kontrata. Në të kundërtën, ka thënë se opsion mbetet greva.

“Edhe institucionet e kanë për obligim ta ruajnë shëndetin publik. Ne jemi një lloj ushtrie që do ta ruajmë shëndetin publik. Jemi të gatshëm. Institucionet vetëm duhet të na i vazhdojnë kontratat”, ka thënë Ahmeti. “Ne do të vazhdojmë deri në realizimin e kërkesave tona. Me protesta e ndoshta edhe me grevë”.

Ai ka thënë të jenë realizuar disa takime me përfaqësues të institucioneve, me qëllimin për të gjetur një zgjidhje, por ka thënë se një përgjigje pozitive në kërkesat e shtruara nuk ka pasur.

“Takimi i fundit ka qenë para 10 ditësh. Ende nuk kemi ndonjë përgjigje... Ne jemi 125 inspektorë, vetëm 12 inspektorë i ka Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, të cilët i mbikëqyrin të gjitha masat tash. Edhe Ligjin e duhanit, edhe higjienën nëpër restorante, edhe ruajtjen e produkteve ushqimore. Janë vetëm 12 inspektorë”, ka përmendur shifrat ai, për të argumentuar nevojën për vazhdim të kontratës.

Pas ankesave të këtyre të punësuarve të përkohshëm, Ministria e Shëndetësisë pati njoftuar se kontratat nuk ishin shkëputur, por kishin përfunduar dhe se nuk do të vazhdoheshin më.