Bazuar në rezultatet preliminare të votimeve të së enjtes, në Tërnoc të Madh, shqiptarët e Luginës së Preshevës do të kenë një deputet në Kuvendin e Serbisë.
Dhe ai do të jetë Shaip Kamberi, nëse këto rezultate zyrtarizohen, ka njoftuar “presheva.com”.
Sipas këtij portal, Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës ka marrë 698 vota nga 610 të nevojshme për të siguruar një mandate në Kuvendin e Serbisë.
Të drejtë vote në këtë vendvotim kishin 1.089 qytetarë.
Votimi i së enjtes në Tërnovc të Madh ishte i pesti në tre muajt e fundit.
Në katër herët e para, procesi është anuluar për shkak të parregullësive të pretenduara.
Me fitimin e mandatit nga Kamberi, partisë së Ivica Daçiqit do t’i merret një mandat në Kuvendin e Serbisë. Dhe sipas Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, kjo parti ka krijuar telashet kryesore dhe ishte shkaktare për këtë maratonë zgjedhjesh në Tërnovc.
Kamberi ishte edhe në dy mandate të tjera deputet në Kuvendin e Serbisë.