Mbi dy milionë e 400 mijë euro janë destinuar për investime në sistemin e ujitjes për shtatë komuna të Kosovës, ka njoftuar të martën ministri i Bujqësisë, Faton Peci.
Komunat të cilat kanë përfituar nga ky buxhet janë ajo e Mitrovicës, e Istogut, e Shtimes, e Klinës, e Kamenicës, e Junikut dhe e Deçanit.
“Pas shkresës përmes së cilës iu jemi drejtuar të gjitha Komunave dhe Drejtorive respektive për Bujqësi në tërë territorin e Republikës së Kosovës me datë 29.04.2022, deri me datë 31.05.2022 në adresë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kanë arritur 15 projekte të sistemeve të ujitjes nga 15 komuna të Republikës së Kosovës”, ka shtuar Peci në njoftimin e lëshuar në Facebook.
Sipas tij, pas përfundimit të afatit për përcjelljen e projekteve potenciale për ndërtimin, zgjerimin apo rehabilitimin e sistemeve të ujitjes në komunat e Kosovës, është formuar komisionin i cili ka pasur për detyrë ta bëjë vlerësimin dhe përzgjedhjen e projekteve ndërsa nga 15 projektet e pranuara, tetë prej tyre i kanë plotësuar kriteret e kërkuara përmes shkresës së datës 29.04.2022 drejtuar Komunave dhe Drejtorive përkatëse të Bujqësisë.