Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti takon kryetarët e nënkryetarët e komunave, flasin për të drejtat e njeriut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një takim pune me kryetarët e nënkryetarët e komunave të Kosovës, diskutoi për “Të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe investimet”.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti shprehu kënaqësinë që së bashku me udhëheqësit e komunave do të diskutojnë tema që kanë rëndësi fundamentale për shtetin, shoqërinë në përgjithësi dhe qytetarët.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kryeministri Kurti tha se përkushtimi për krijimin e një klime të respektimit maksimal të të drejtave të njeriut, dëshmohet edhe përmes organizimit të së shtunës, ku siç tha ai, megjithëse nuk është data 10 dhjetor e Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut, po vihet theksi për veprimet që janë ndërmarrë deri tani e ato që duhet ndërmarrë përpara.

“Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, mësimet e saj dhe detyrimet që derivojnë nga ajo, mbesin referencë e çdoditshme e jona dhe e punës tonë. Ato na shërbejnë si udhërrëfyes për secilin vendim tonin. E pra, synimi më i mirë për mbrojtjen, garantimin dhe përmirësimin e të drejtave të njeriut për ne është burim i çdo vendimi, si dhe shkak i çdo veprimi”, tha kryeministri Kurti.

Ai ka shtuar se "mohimi i të drejtave njerëzore është cenim i drejtpërdrejtë i vetë qenies njerëzore".

“E infrastrukturë kyçe e kësaj rruge të duhur është një sistem i drejtësisë i cili duhet të sigurojë e të përkujdeset për aplikim të gjithmonshëm të rendit e të ligjit. Kjo është arsyeja pse drejtësia është njëri nga dy prioritetet tona dhe opinionet e javës së kaluar nga Komisioni i Venecias për dy çështjet më integrale lidhur me të, na treguan se reforma e hartuar nga ana jonë është edhe adekuate edhe e nevojshme”, tha Kurti.

Në sesionin e parë folën edhe zëvendëskryeministrja Emilija Redžepi, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu si dhe kryetarët e nënkryetarët e komunave.

Kryetarët e nënkryetarët e komunave e cilësuan të dobishëm takimin dhe temën e diskutimit. Ata theksuan sfidat dhe problemet që hasin gjatë zbatimit të ligjit, projektet e ndryshme me organizata joqeveritare dhe ambasadat e huaja për përmirësimin e kushteve për komunitetet pakicë, nevojën për reforma administrative, problemet me mungesën e noterëve nëpër komuna e të tjera.