Arbëri

Shala: Qeveria e ka pasur të gatshme marrëveshjen për energjinë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka thënë se qeveria aktuale e kishte të gatshme marrëveshjen për energjinë, të cilën e nënshkroi të martën në Bruksel, në kuadër të dialogut me Serbinë.

Shala ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së të mërkurën, se Kurti ka ardhur në pushtet me kauzën e përmirësimit të strukturës energjetike dhe të anulimit të marrëveshjes të cilën e ka nënshkruar.

“Qeveria e ka pasur të gatshme marrëveshjen dhe gjithë partnerët, bllokun rregullues me Shqipërinë dhe kanë qenë problemet e implementimit të marrëveshjes me problemet që ka sjellë implementuesi serb. Unë kam pritur që gjithë atë propagandën atë luftë politike të na e sqaronte pushteti sot se cila është e vërteta. Ai ka ardhur mbi kauzën e përmirësimit të strukturës energjetike në vend, ka ardhur me kauzën e anulimit të kësaj marrëveshjeje në pushtet”, ka thënë Shala.

Shala ka thënë se kryeministri po i rikthen në funksion ato që i kanë lënë në proces e sipër qeveritë e kaluara.

Sipas tij, çështja e marrëveshjes së nënshkruar për energjinë, ka sjellë probleme të mëdha në skenën politike nga partia e cila atë kohë ishte në opozitë.

Kosova dhe Serbia kanë miratuar të martën udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë elektrike në veri.

Marrëveshja për energjinë ishte arritur qysh më 2013, por nuk ishte zbatuar deri më tash. Bëhet fjalë për energjinë që shpenzojnë serbët në veri e nuk e paguajnë.