Arbëri

Komisioni i Venecias publikon opinionin – numëron mangësitë në draftligjin e Byrosë për Konfiskim

Descriptive Text

Gjashtë rekomandime bazë ka dhënë Komisioni i Venecias për Qeverinë e Kosovës për draftligjin e Byrosë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ky Komision të martën ka publikuar opinionin për Byronë. Ka gjetur mangësi, siç edhe kishte raportuar KOHA bazuar në draftopinionin parafinal.

Aty Komisioni i Venecias ka thënë se krijimi i një mekanizmi të tillë do të mund të kishte rëndësi për të siguruar masa për zhvillimin ekonomik të vendit, megjithatë ka thënë se procedurat e konfiskimit duhet të rregullohen e implementohen në pajtim me Kushtetutën.

Në opinionet e Komisionit të Venecias thuhet se ka dyshime nëse formimi i një trupi të ri do ta bënte më efektive luftën kundër korrupsionit ose do ta komplikonte sistemin aktual.

Teksa ka thënë se një legjislacion i tillë është i ndjeshëm ndaj të drejtave të njeriut, Komisioni i Venecias ka konkluduar se ai mund të pranohet vetëm nëse ndërtohet mbi një mekanizëm të pavarur me të gjitha fuqitë dhe burimet e nevojshme për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. I ka konsideruar të pamjaftueshme dispozitat aktuale në draftligj në këtë drejtim.

Për të gjitha të metat e identifikuara dhe rekomandimet, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ditë më parë u shpreh se Komisioni i Venecias e ka njohur Byronë si mekanizëm e se e ka mbështetur kontestin e debatit civil. Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti pati shkuar më tej duke thënë se “Komisioni i Venecias jo vetëm që na ka treguar afinitet të plotë, por ka kërkuar edhe zgjerim të kompetencave të mekanizmit për verifikimin e pasurisë së pajustifikuar”.

Qeveria e Kosovës me këtë ligj synon themelimin e një Byroje Shtetërore për Verifikim dhe Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme. Kjo Byro do të bëjë kërkesë për konfiskim të pasurisë në Gjykatë.

Në llupë të saj do të jenë të gjithë zyrtarët publikë dhe ata të ekspozuar politikisht, tek e cila kategori do të hyjnë edhe ata me funksione në organizata ndërkombëtare në vend. Persona zyrtarë që mund t’i nënshtrohen këtij ligji janë ata që kryejnë punë zyrtare në organe shtetërore, personat e zgjedhur në institucione dhe ata ushtarakë. Barra e provës për të dëshmuar se pasuria është e justifikueshme i mbetet palës së dyshuar. Konfiskimi do të bëhet në procedurë civile.

https://www.venice.coe.int/webforms/documents/?pdf=CDL-AD(2022)014-e