Instituti Demokratik i Kosovës ka bërë thirrje për trajtim të kujdesshëm të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke kërkuar adresimin e çështjeve kyç të ngritura nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias.
Në një konferencë për media, KDI-ja ka paraqitur qëndrimet lidhur me versionin aktual të projektligjit, i cili tashmë është proceduar për shqyrtim në Kuvend.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas këtij instituti, forcimi i mekanizmave për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme është i domosdoshëm në luftën kundër korrupsionit, por një reformë e tillë duhet të mbështetet në parime të qarta kushtetuese, siguri juridike dhe respektim të të drejtave themelore.
KDI-ja thekson se, ndonëse e përkrah në parim konfiskimin civil dhe krijimin e Byrosë si mekanizëm, versioni aktual i projektligjit nuk i adreson plotësisht gjetjet e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, duke lënë hapësirë për paqartësi dhe rrezik për cenim të të drejtave kushtetuese.
“Në veçanti, KDI ngriti shqetësime për dy çështje thelbësore. Së pari, lidhur me vlefshmërinë kohore të verifikimit të pasurisë, ku përcaktimi i periudhës që nga viti 2008 krijon pasiguri juridike dhe bie ndesh me standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka theksuar nevojën për një kufizim të arsyeshëm kohor. Së dyti, lidhur me kompetencat për nxjerrjen e legjislacionit sekondar, pasi projektligji i jep Byrosë diskrecion të gjerë për të rregulluar procedura që prekin drejtpërdrejt të drejtat pronësore, çështje këto që duhet të jenë të përcaktuara qartë në vetë ligjin”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga KDI-ja.
Instituti ka njoftuar se u ka dërguar një letër deputetëve të Kuvendit të Kosovës me rekomandimet për përmirësimin e projektligjit, ndërsa ka paralajmëruar edhe publikimin e një hulumtimi parlamentar për këtë çështje.
Më tej KDI-ja i ka bërë thirrje Kuvendit që shqyrtimi i projektligjit të shoqërohet me debat të hapur dhe gjithëpërfshirës, të bazuar në standarde kushtetuese dhe evropiane, në mënyrë që të shmangen zgjidhje të paqëndrueshme apo të kontestueshme në praktikë.