Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komisioni miraton projektligjin për Byronë shtetërore për konfiskim të pasurisë

Komisioni për Legjislacion

Komisioni për Legjislacion ka miratuar me 7 vota për dhe 2 kundër Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Diskutimet u përcollën me përplasje mes pushtetit dhe opozitës për procedurat dhe përmbajtjen e tij.

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se ky projektligj synon të rrisë besimin e qytetarëve në drejtësi dhe të forcojë mekanizmat kundër pasurisë së pajustifikueshme, duke theksuar se është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e institucioneve relevante.

Ajo shtoi se projektligji ka kaluar nëpër tri opinione të Komisioni i Venecias dhe dy shqyrtime të Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke theksuar se konfiskimi civil është konfirmuar si instrument i ligjshëm.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Përparim Gruda, ngriti shqetësime për mungesën e konsultimit publik dhe për shtrirjen kohore të ligjit.

Edhe Miratohet në parim projektligji për Byronë shtetërore për konfiskim të pasurisë Arbëri 2 muaj më parë Miratohet në parim projektligji për Byronë shtetërore për konfiskim të pasurisë

E pyetur për mungesën e konsultimit publik, Gërvalla tha se një gjë e tillë nuk ishte konsideruar e nevojshme në këtë fazë.

“Kemi marrë rekomandimin nga departamenti ligjor tek ne por edhe nga ZKM që nuk është i nevojshëm diskutimi i serishëm publik”, tha ajo.

Deputeti i VV-së, Vigan Qorrolli, e mbështeti projektligjin duke e cilësuar si të domosdoshëm për sistemin institucional dhe në përputhje me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare.

Në anën tjetër, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, theksoi se mungesa e konsultimit publik dhe rreziku për rrëzim në Gjykatën Kushtetuese mbeten shqetësime serioze.

Ndërsa deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, kritikoi procedurën e përshpejtuar dhe mungesën e trajtimit të plotë të gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese.

Në përgjigje, ministrja Gërvalla tha se ligji nuk është ndryshuar nga versioni i kaluar dhe se vërejtjet e institucioneve janë adresuar, ndërsa shtoi se projektligji nuk prek qytetarët që nuk janë zyrtarë publikë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur dy herë të antikushtetues Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Në vendimin e parë të vitit 2024, Kushtetuesja i ka vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën katër nene të këtij ligji dhe duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre neneve e ka shpallur Ligjin për Byronë Shtetërore të pavlefshëm në tërësinë e tij.

Edhe Qeveria miraton Projektligjin për Byronë shtetërore për verifikimin e konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme Arbëri 3 muaj më parë Qeveria miraton Projektligjin për Byronë shtetërore për verifikimin e konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Ndërsa, në janar të këtij viti, Kushtetuesja ka konstatuar se Kuvendi ka bërë shkelje të rregullave kur e ka kaluar këtë ligj.

Me këtë ligj synohet që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse do të ketë dyshime se ajo ishte fituar në mënyrë të kundërligjshme.