Të martën do të hidhet për votim ndryshim-plotësimi i ligjit për pagën minimale. Kreu i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, deklaroi të hënën se ky projektligj, i sponsorizuar nga Qeveria, duhet të hiqet nga rendi i ditës, pasi është diskriminues me mospërfshirjen e pensioneve të veteranëve të UÇK-së.
Tahiri tha se lënia e veteranëve të UÇK-së jashtë këtij ligji, është e ndjeshme dhe si të tillë, PDK-ja nuk do ta mbështesë.
“Lënia jashtë e veteranëve është iniciativë që ne nuk do ta mbështesim. Në 23-vjetorin e çlirimit, të mos i fusim veteranët as në pagën minimale, është shkelje. I bëjmë thirrje Qeverisë që nesër ta tërheqin këtë pikë nga rendi i ditës. Përcaktimi i pagës minimale është minimumi i kalimit të muajit nga një familje, por të lihen jashtë veteranët edhe nga kjo pagë, është e papranueshme. E papranueshme mënyra se si është proceduar. E papranueshme dhe i bëjmë thirrje Kurtit të reflektojë. Nuk mund të lihet jashtë një kategori që të jetojë me minimumin e pagës minimale”, tha Tahiri.
Deputeti i PDK-së mohoi t’i kenë ftuar si parti veteranët të dalin në protestë, ndërsa tha se ata kanë të drejtë të protestojnë, kur iu bëhet e padrejtë.
Javën e shkuar, kur u mbajt seancë parlamentare, pati edhe protestë të thirrur nga organizatat e dala nga lufta. Protesta eskaloi, pasi protestuesit u futën në oborrin e Kuvendit e tentuan të futen edhe brenda ndërtesës.
Ndërkohë, për iniciativën e PDK-së për tërheqjen e 30-përqindëshit nga Trusti, Tahiri tha se në rrethana normale, kjo nuk do të duhej të diskutohej. Sipas tij, situata ekonomike është e rëndë dhe tërheqja duhet të lejohet.
“Të enjten e kemi një pikë të rëndësishme, çështjen e Trustit. Në rrethana normale nuk do të duhej të diskutohej. Kemi ngritje të çmimeve për mbi 50 për qind te produktet esenciale. Sot kur qytetarët po e humbin shpresën të jetojnë në këtë vend, ne iu bëjmë thirrje partive që të reflektojnë karshi kërkesave të qytetarëve. Ky hap do ta zbusë sadopak rritjen e madhe të çmimeve. Çështja e trustit prek një numër të madh familjesh”, tha Tahiri.
Sipas kreut të GP-së të PDK-së, efektet zinxhirore pas tërheqjes së Trustit do të ishin të mëdha.
“Kjo është kërkesë e qytetarëve. Nuk do të duhej të vinim në këtë gjendje. Qeveria s’ka marrë asnjë hap për lehtësim të krizës. Kemi qenë të detyruar që të procedojmë ligjin për tërheqjen e 30 për qind të Trustit”, shtoi ai.
Pushteti po e refuzon këtë ide. VV-ja ishte kundër edhe herën e parë kur u tërhoqën 10 për qind e kur ishte parti opozitare. Ekspertët kanë paralajmëruar inflacion më të madh në rast të tërhjeqjes së 30-përqindëshit.
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, tha se tërheqja e Trustit nuk duhet lejuar, pasi është e dëmshme.
“Për ne s’ka dilemë tërheqja e Trustit. Kjo nuk ka të bëjë më inate politike, apo me kokëfortësi. Është kërkesë shumë e dëmshme, shkatërron një sistem pensional dhe mund të shkaktojë mbylljen e Trustit pensional. Qëndrimi ynë për tërheqjen është kundër, pasi nuk do të bëjë zgjidhje. Në këtë situatë, e shkatërron një sistem pensional”, tha ajo.
Për çështjen e veteranëve, Kusari-Lila tha se është kategori që kërkon trajtim ndryshe.
Kryesia e Kuvendit të hënën i caktoi tri seanca të Kuvendit. Të martën do të vazhdojë seanca e kaluar, ku pikë kyç është votimi i Projektligjit për pagën minimale. Të enjten do të mbahet seancë për tërheqjen e Trustit, ndërsa më 23 qershor seancë e re.