Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve ka kërkuar nga Qeveria që të hiqet akciza për furnizim me naftë për autobusët apo lirimi nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar të furnizimit me naftë, për periudhë të caktuar kohore. Këto masa, shoqata i ka parë si masë parandaluese për rritjen e çmimit të biletave.
Në një njoftim për media të premten, shoqata ka thënë se ky sektor po përballet me vështirësi të shumta duke nisur nga pandemia e “për të vazhduar pastaj me problemet tjera përcjellëse nga mospërkrahja dhe mungesa e subvencioneve e deri më tani tek problemet e ngritjes drastike të çmimeve të derivateve të naftës në Kosovë”.
“Si përfundim, Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve ka kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës që për një periudhë të caktuar kohore të hiqet akciza për furnizimin me derivatet e naftës për sektorin e transportit rrugor të udhëtarëve me autobusë apo lirimin nga TVSH të furnizimit me derivatet e naftës, deri në normalizimin e situatës së krijuar. Miratimi i këtyre kërkesave do t’i ndihmonte kompanitë që janë në prag të falimentimit dhe njëkohësisht do të mbronte interesin publik të qytetarëve si masë parandaluese për rritjen e çmimit të biletave”, thuhet në njoftimin e kësaj shoqate të premten.
Para disa muajve, kjo shoqatë pati pasur përplasje me Ministrinë e Mjedisit dhe Infrastrukturës, pasi shteti vendosi që disa kategori shoqërore të paguajnë 50 për qind më pak për bileta të autobusit. Vendimi pati ardhur pasi u patën shtrenjtuar biletat. Shoqata pati paditur Ministrinë, ndërsa më vonë qe arritur pajtimi për kthimin e çmimit të biletave sikur para shtrenjtimit.
Çmimi i naftës ditëve të fundit ka kapur vlera rekorde, prej rreth 1.9 euro.