Arbëri

Klinaku-Kurtit: Mos e prek Ligjin për veteranë, pastroji listat

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL – UÇK-së, Faton Klinaku, reagoi për deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, që tha se listat e veteranëve duhet të pastrohen, para rritjes së pensioneve.

Klinaku shkroi në Facebook të enjten, se Kurti nuk duhet ta prekë Ligjin për veteranët pasi me këtë “veç përplasje do të ketë”. Ai i bëri thirrje kryeministrit që t’i pastrojë listat e veteranëve.

Klinaku theksoi se veteranët nuk e kanë ndërmend të ndalen, derisa tha se Kurti është përgjegjës për situatën e krijuar.

“I ke pas ‘kundërshtuar’ e ua ke pas rrëzuar disa xhipa, e tash dorëzoju ti medalje EULEX-it. Veç sa i përket veteranëve, shko merri dosjet në prokurori e pastroji listat, sepse je në pushtet. Por ke kujdes, mos e prek ligjin e tyre, e mos vazhdo me kryeneçësi se veç përplasje ke me pas me ta dhe nuk e kemi ndërmend që të ndalemi. Përgjegjësia do të jetë kryekëput e jotja”, tha u.d. i kreut të OVL-UÇK-së.

Të hënën, veteranët e UÇK-së, protestuan para Kuvendit të Kosovës, duke kundërshtuar votimin e projektligjit për pagën minimale, në të cilin nuk u përfshin pensionet e veteranëve.

Veteranët paralajmëruan protesta dhe veprime të tjera në rast se nuk përfshihen në Ligj. Në protestë u lënduan dy zyrtarë policorë e një qytetar.