Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se faktori shqiptar që është bërë pjesë e nismës “Ballkani i Hapur” duhej të rreshtohej karshi argumenteve të Kosovës, që ka vendosur ta refuzojë pjesëmarrjen në këtë iniciativë për shkak që, siç thotë këshilltari i Kurtit, Kosova nuk njihet si palë e barabartë.
Në takimin e sotëm në Ohër, përveç Serbisë, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, zyrtarët e Malit të Zi dhe Bosnjë & Hercegovinës iu bashkuan ftesës për të qenë pjesë e “Ballkanit të Hapur”. Kosova është në rrugë për të mbetur vendi i vetëm në rajon që nuk merr pjesë në këtë nismë.
“Unë po i listoj faktet kur përballemi me Serbinë, mosnjohja e dokumenteve, pengimi i realizimit të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit e të tjera. Nëse për Ramën këto janë paranoja, nuk mund ta komentoj pse arrin në këtë konkluzion. Le të na tregojë Rama nëse ka gjetur zgjidhje që Serbia t’i njehë dokumentet e qytetarëve të Kosovës. Nuk mund të spekulojmë për arsyet pse i bëri bashkë ‘Ballkani i Hapur’, por duke i ditur premisat me të cilat Serbia bllokon Kosovën, është e qartë se cilat do të jenë konkluzionet në Ballkanin e Hapur. Jemi ne ata që e kemi problem me Serbinë. Faktori shqiptar duhet të ndjekë politikën e Kosovës karshi Serbisë. Ne jemi ata që e definojmë politikën tonë me Serbinë. Ata do të duhej të rreshtoheshin pas argumenteve të cilat i paraqesim ne”, ka thënë Zulfaj në “Interaktiv” të KTV-së.
Zulfaj e konsideron “Ballkanin e Hapur” më shumë si simbolizim për promovimin e interesave ruse në Ballkan. Por për pjesëmarrjen e zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atyre të Bashkimit Evropian në këtë nismë, ai thotë se ndërkombëtarët mbështesin nismat, ashtu siç është dialogu.
“Të shohim kush do të bëhet pjesë e kësaj nisme. Bosnja do ta ketë të vështirë për shkak të vendimmarrjes. Kjo nismë fillimisht u quajt Unioni Doganor, pastaj Mini-Schengen e tash Ballkani i Hapur. Këtë vit, nuk e di a do ia ndërrojnë emrin në diçka tjetër. Ka qenë më shumë simbolizëm për promovimin e interesave ruse në Ballkan. Kjo nismë është ide e Serbisë për t’u hapur ndaj Rusisë. Këtë e konfirmoi edhe ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, i cili tha se Ballkani i Hapur është iniciativë e Serbisë”.
Sipas Zulfajt, Kosova është nën vlerat e BE-së dhe “Ballkani i Hapur” nuk përkon me këto vlera.
“Serbia është vendi i vetëm në rajon që pengon realizimin e marrëveshjeve në Procesin e Berlinit. Këtë e di edhe Rama. Është kjo Serbi që del tash me një projekt tjetër për të bllokuar njohjen e pavarësinë e shtetit të Kosovës. Ne jemi të bashkëpunojmë në Procesin e Berlinit, duam bashkëpunim rajonal, duam të rritet mirëqenia dhe demokracia për vendet e Ballkanit, duam një Serbi që e njeh shtetin e pavarur të Kosovës dhe të ndajë vlerat e njëjta me BE-në”, ka thënë Zulfaj.
Sipas tij, “Ballkani i Hapur” është i hapur veç për Rusinë dhe është një projekt për ta mohuar shtetësinë e Kosovës.
"Serbia nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, ashtu siç kanë bërë të gjitha vendet e BE-së dhe kjo tregon mjaft", është shprehur Zulfaj.