Arbëri

Nga dhjetëra mijëra euro në vitin 2013, në miliona euro në vitet e fundit për spitalet turke

Programi për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike funksionon qe gati dy dekada, por rritja e parave nga ky program ka ndryshuar dukshëm në 5 vjetët e fundit. Gjatë hulumtimit disamujor, KOHA ka analizuar se ku kanë përfunduar këto para. Nga të dhënat e siguruara del që spitalet turke që në vitin 2013 kishin dhjetëra e mijëra euro pagesa nga ky fond, në vitet të ardhurat i rritën në miliona euro. Shumica e parave kanë shkuar për trajtimin e sëmundjeve të rënda te fëmijët. Përderisa shpenzimet janë rritur, në QKUK thonë se nuk kanë vërejtur rritje të rasteve.

Në mënyrë drastike kanë ndryshuar, nga viti në vit, adresat ku kanë përfunduar paratë e Programit për Trajtim Jashtë Vendit.

Përderisa një pjesë e madhe e parave deri në vitin 2015 ishte shpenzuar në Kosovë, kryesisht për shpenzime të sëmundjeve kardiologjike, nga viti 2016 ka filluar lëvizja e madhe e parasë për në Turqi.

Gjatë hulumtimit disamujor të Programit për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike, KOHA ka ndjekur lëvizjen e parave në institucionet shëndetësore turke.

Prej 30 mijë, në 2 milionë e gjysmë euro në vit për njërin spital

MPL Saglik është rrjet spitalesh në Turqi. Në fatura të siguruara nga KOHA shkruan emri Medical Park, ndërsa në vulat në po këto fatura shkruan MPL Saglik, andaj KOHA po i referohet si rrjet i njëjtë spitalesh.

Deri në vitin 2014, trajtimi i sëmundjeve te fëmijët bëhej deri në vlerën 30 mijë euro. Kur Ministria e Shëndetësisë filloi pagesën 100 për qind, filloi edhe rritja e numrit të pacientëve që trajtoheshin në Turqi.

Kësisoj, sipas dokumenteve, MPL Saglik në vitin 2013 nga shteti mori 31.990 euro. Në vitin 2014, vlera e përfitimeve iu katërfishua. Nga 31 mijë vitin paraprak, në vitin 2014 vlera u bë 121. 115 euro. Një vit pas, këtij spitali iu rritëm të ardhurat nga buxheti publik për pesë herë. Nga rreth 120 mijë euro, në vitin 2016 spitalit iu transferuan 736.827 mijë euro. Në vitin 2017 të ardhurat nga Programi për Trajtim Jashtë Vendit këtij spitali iu ulën pak për rreth 70 mijë euro, për t’iu rritur sërish në vitin 2018 për 200 mijë euro.

Rrjeti i këtij spitali përfitimin më të madh e pati në 3 vjetët e fundit. Vlera vetëm për këtë institucion ishte disa miliona euro për një vit. Përderisa në vitin 2013 ky rrjet mori 30 mijë euro, në vitet 2019 e 2020 përfitoi 4 milionë e 251 euro. E, për 6 muajt e parë të vitit 2021 u paguan rreth 750 mijë euro për këtë spital.

Këto të dhëna KOHA i ka siguruar para rreth gjashtë muajsh, në bazë të kërkesës për qasje në dokumente publike. Të gjitha të dhënat janë të nxjerra nga zyrtarët e Fondit të Sigurimit Shëndetësor.

Përveç me emrin MPL Saglik, në këto të dhëna del që para janë transferuar edhe me emrin Medical Park.

Trendi është i njëjtë.

Kësisoj, edhe në këtë emër deri në vitin 2015 nuk del që ka pasur ndonjë pagesë. Në vitin 2016 i janë paguar fatura në vlerë të 55.530 euro. Një vit me vonë nga 55 mijë euro, vlera e parave që i janë paguar shkoi në 533.700 e në vitet 2019 e 2020 rezultojnë dy pagesa nga 15 mijë euro për këtë spital.

Ozel Gaziosmonpasa Hastanesi është tjetër spital, të ardhurat e të cilit janë rritur në mënyrë drastike nga viti në vit. Deri në vitin 2015, në të dhënat e Fondit nuk figuron që ky spital ka përfituar ndonjë para nga programi.

Në vitin 2016, ky spital përfitoi pak më shumë së gjysmë milioni euro. Një vit më vonë shteti e pagoi këtë spital 1 milion e 357 mijë euro, e në vitin 2018 vlera e pagesave u rrit në 2 milionë euro. Trendi i pagesave për këtë spital vazhdoi edhe në vitet 2019 e 2020. Këtij spitali këta dy vjet iu paguan 2 milionë e 641 mijë euro, ndërsa në 6 muajt e parë të vitit 2021 edhe 300 mijë euro të tjera.

Edhe spitali Medipol Mega në Turqi ka pasur rritje nga viti në vit. Përderisa deri në vitin 2018 ka përfituar vetëm 48 mijë euro nga Programi për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike, trendi ka filluar të rritet në vitet e fundit. Kjo vlerë në vitin 2019 është bërë 198 mijë euro e në vitin 2020 - 348 mijë euro.

Trend të rritjes së parave të përfituara nga buxheti publik i Kosovës ka pasur edhe Istanbul Memorial Saglik Yatirimlari A.S.. Deri në vitin 2016, nuk ka pasur përfitime nga programi shtetëror. Në këtë vit përfitoi rreth 50 mijë euro, por kjo shifër u rrit një vit me vonë në gati 300 mijë euro, e në vitin 2018 shkoi në 317 mijë euro. Në vitin 2019, vlera u rrit në mbi 400 mijë euro, e në vitin 2020 gati në gjysmë milioni euro.

Në të dhënat e siguruara dalin dy institucione me emrin e njëjtë. Për periudhën 2013-2018 rezultojnë edhe dy pagesa në vlerë të 23 mijë eurove për këtë spital.

Përveç pagesave të ekzekutuara për këto spitale, KOHA ka mësuar se këtyre spitaleve Kosova u detyrohet borxhe të mëdha.

Janë pyetur të gjitha spitalet për këto çështje, por nuk kanë kthyer përgjigje.

Rriten shpenzimet për fëmijët, por jo rastet e sëmundjeve të rënda tek ata

Pjesa më e madhe e buxhetit të Programit për Trajtim Jashtë Vendit ka shkuar për fëmijët, sidomos për ata me sëmundje të rënda.

Paratë për trajtimin e këtyre patologjive te fëmijët janë rritur nga viti në vit, por drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Violeta Grajçevci, ka thënë që trendi i sëmundjeve të rënda te fëmijët për 10 vjet nuk ka shënuar ndonjë rritje të madhe.

“Po flas për një statistikë që e kemi ne gjatë këtyre 10 vjetëve. Po flas për 10 vjet, sepse e kemi përcjellë trendin e zhvillimit të sëmundjeve malinje te moshat pediatrike dhe nuk kemi vërejtur ndonjë rritje të madhe gjatë viteve. Diku brenda një viti, raste të reja janë 50-60. Për një vit janë diku gati gjysma me leukemi. Por 20-25 raste janë me leukemi akute. Leukemitë akute ndahen në mileoide e limfoblastike. Leukemitë limfoblastike shumica trajtohen në Kosovë”, ka thënë Grajçevci.

Dyshime për këtë fond ka ngritur edhe Bordi ekzekutiv në Programin për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike, i cili ishte në detyrë në vitet 2020-2021.

Bordi kishte bërë një raport, ku kishte identifikuar shkelje të ndryshme me këtë program.

Forma e parë ishte “fryrja” e faturave.

“Rastet të cilat kanë profaturën me shërbime mjekësore dhe çmime të caktuara konform mendimit të Komisionit Konziliar të SHSKUK-së dhe me fletëzotim, me vonë sjellin faturën me shërbime të njëjta, por me vlerë financiare më të lartë”, thuhet në raportin të cilin e ka siguruar KOHA.

Forma e dytë, sipas dokumentit, është kryerja e shërbimeve më pak sesa thuhej në profaturë.

“Rastet të cilat kanë profaturën me shërbime mjekësore dhe çmime të caktuara konform mendimit të Komisionit Konziliar të SHSKUK-së dhe me fletëzotim, më vonë sjellin faturën me numër më të vogël të shërbimeve mjekësore dhe me vlerë financiare të njëjtë si në profaturë”, thuhet në dokument.

Një tjetër formë ishte faturimi i shërbimeve shtesë.

“Rastet të cilat kanë profatutën me shërbime mjekësore dhe çmime të caktuara konform mendimit të Komisionit Konziliar të ShSKUK-së dhe me fletëzotim, më vonë sjellin faturën me shërbime shtesë të cilat nuk janë të cekura në profaturë e as në mendim të Komisionit Konziliar të ShSKUK-së, dhe për pasojë kanë vlerë financiare më të lartë”, thuhet tutje në raport.

E, anëtarët e Bordit kishin folur edhe për ndikimin e spitaleve te pacientët.

“Në disa raste të tjera kemi dukurinë edhe kur institucioni privat shëndetësor i kërkon pacientit të nisë procedurat administrative tek ne, për kërkimin e mjeteve shtesë për trajtim mjekësor i cili është i paraparë edhe në Planin e Trajtimit Mjekësor në profaturën fillestare (aplikimin e parë)”, thuhet aty.

Ky raport flet edhe për “ngatërrimin” e transplantimeve.

“Tek rastet e pacientëve që kanë nevojë për transplantim të palcës kockore, ku donator është familjari, institucioni privat shëndetësor na dërgon faturën me vlerë financiare sikurse donatori të ishte nga banka e institucionit ku trajtohet pacienti, edhe pse në profaturë është precizuar kostoja e shërbimeve varësisht prej donatorit”, thuhet në raportin.

Sipas anëtarëve të Bordit, këto telashe i kanë identifikuar në veçanti në spitalet turke.

“Këto dukuri të lartcekura janë hasur kryesisht te trajtimet mjekësore me vlerë të lartë financiare, te disa institucione shëndetësore private të caktuara – sidomos në Turqi”, thuhet në raportin e Bordit.

Për të gjitha këto raste Bordi në raport insiston se ka fakte.

“Për të gjitha këto dukuri që u numëruan më lart, ne kemi argumente të qëndrueshme, të cilat mund t’jua vëmë në dispozicion, duke respektuar konfidencialitetin e palëve aplikuese”, thuhet ndër të tjera.

Ky raport ndonëse është dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë në vitin 2021, nuk është përcjellë në hetuesi.

Bordi kërkoi që Programi për Trajtim Jashtë Vendit të hetohej.

“Duke marrë për bazë që për realizimin e këtyre ‘dukurive’ kërkohet ‘punë ekipore’, kërkojmë nga ju që të bëni të mundur hulumtimin e tërë Programit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, veprim i cili do të ndalte keqpërdorimet eventuale, akterët e mundshëm potencialë të vendosen para drejtësisë e me këtë do të kursente buxhetin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor të këtij programi dhe do të mundësonte që një numër më i madh i pacientëve të përfitojnë ndihmë nga ky program”, thuhet në këtë dokument të papublikuar, por të siguruar nga KOHA.

KOHA i ka dërguar pyetje ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, por ai nuk ka kthyer ende përgjigje.

(Në vazhdimin e hulumtimit mund të lexoni: Si u bë rritja e rasteve urgjente? Si u bë rritja e borxheve në dhjetëra miliona euro? Cili ish-ministër thotë që fletëzotimet nuk i janë dorëzuar asnjëherë, edhe pse Fondi pretendon të kundërtën?)