Arbëri

Ultimatum i sindikalistëve: Kurti 15 ditë kohë të përgjigjet

 

Një letër për nisjen e ndërmjetësimit mes Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Qeverisë së vendit i ka shkuar kryeministrit Albin Kurti të premten. Yll Zekaj, ndërmjetësues i licencuar, ka kërkuar në emrin e BSPK-së nga Kurti që të konfirmojë interesimin për fillim të ndërmjetësimit në tri kërkesat e BSPK-së. Kryeministri ka kohë 15 ditë që të përgjigjet.

Sindikalistët e Kosovës po kërkojnë vazhdim të pagesës prej 100 euro për çdo muaj deri në fillim të zbatimit të Ligjit të Pagave, në të cilin kanë kërkuar të merren parasysh propozimet e Federatave Sindikale anëtare të BSPK-së; fillimin e zbatimit të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor; dhe ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, konkretisht për pikën që kërkon 15 vjet kontribut në skemat pensionale para vitit 1999.