Arbëri

Tenderi për blerjen e veturave në MPJD (2): Pazari u bë në Ambasadën e Kosovës në Zagreb

MPJD

Pas marrëveshjes me operatorin kroat, më 21 dhjetor 2021 ekzekutohet urdhri i blerjes nga menaxherja e prokurimit, Shefkinaze Vllasaliu. Totali i shumës së shkruar me kompjuter në dokument është 160 mijë euro, por në dorëshkrim është shuma tjetër prej 157 mijë e 279 eurosh, e cila duhet paguar nga totali i vënë prej 300 mijë eurosh. Në MPJD nuk kanë treguar se sa është shuma e saktë që kjo ministri deri më tash i ka paguar operatorit kroat dhe nëse do të merren edhe pesë vetura të tjera

Pazari për blerjen e veturave nëpërmjet një procesi ekspres të tenderimit nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ishte bërë në Ambasadën e Kosovës në Kroaci, konfirmohet nga procesverbali i zyrtarëve të Komisionit, të cilët ishin caktuar nga ministria për blerjen e veturave.

Në ditën e parë, Komisioni ka treguar se si ka bërë hapjen e ofertave të pranuara nga Ambasada, në kompaninë “Porsche-Kroacia”, për realizimin e takimit dhe negocimit.

“Në takim është diskutuar rreth mundësisë së blerjes së veturave të cilat gjenden në depo për shitje, dhe pas kërkesave të parashtruara nga Komisioni i negocimit, veturat të cilat i plotësojnë kushtet dhe specifikat e kërkuara, përfaqësuesit i është kërkuar që të na japë ofertën reale dhe më të favorshme, në mënyrë që në rast pranimi apo pëlqimi të bëhet liferimi i automjeteve brenda pesë ditësh. Pas marrjes së pranimit të ofertave dhe negocimit fillestar, në të cilin takim zgjati tri orë, Komisioni është kthyer në Ambasadë për të diskutuar dhe shqyrtuar në detaje rreth vazhdimit të negocimit në ditën e dytë. Të nesërmen, më 10 dhjetor, Komisioni kërkoi një prezantim më në detaje të automjeteve dhe ‘lirime të mundshme dhe sa më të dobishme’”, shkruan në procesverbalin e Komisionit, i cili ka qenë në përbërje të Shefkinaze Vllasaliut, Dardan Krasniqit dhe Florijan Jusufit.

Mbështetur në procesverbalin e hapjes së kuotimit, ofertuesi i përzgjedhur kishte ofruar tri vetura të tipit Audi a4 - me vlerë prej 35 mijë, 33 mijë dhe 31 mijë euro - dhe dy të tjera të tipit Passat - të cilat kanë kushtuar nga 28 mijë e 840 euro.

Pavarësisht insistimit të zyrtarëve të ministrisë, kompania nuk kishte ofruar zbritje. Aty konfirmohet se përfaqësuesi i kompanisë nuk kishte pranuar as që ta bëjë zëvendësimin e gomave të verës me ato të dimrit.

“Përfaqësuesi i kompanisë së shitjes së veturave në fjalë, z. Luka edhe pas disa insistimeve nga Komisioni, nuk ndryshoi qëndrim lidhur me çmimin e shitjes së veturave. Ai e ka mbajtur qëndrimin fillestar dhe se çmimin e fundit e ofron sipas ofertës së kompanisë së zbritjeve të parapara ligjore për Misionet Diplomatike. Duke e marrë parasysh se në ofertën e dhënë nga përfaqësuesi i kompanisë në fjalë, shpjegohet se veturat janë me goma të stinës verore, Komisioni ka kërkuar që të zëvendësohen me goma të stinës për dimër. Vlen të theksohet se edhe pas shumë përpjekjeve, përfaqësuesi i kompanisë thekson se kjo kërkesë është e pamundur të realizohet nga kompania e tij”, shkruan në dokument.

Pas marrëveshjes me operatorin kroat, më 21 dhjetor 2021 ekzekutohet urdhri i blerjes nga menaxherja e prokurimit, Shefkinaze Vllasaliu. Totali i shumës së shkruar me kompjuter në dokument është 160 mijë euro, por në dorëshkrim është shuma tjetër prej 157 mijë e 279 eurosh, e cila duhet paguar nga totali i vënë prej 300 mijë eurosh.

Në MPJD nuk kanë treguar se sa është shuma e saktë që kjo ministri deri më tash i ka paguar operatorit kroat dhe nëse do të merren edhe pesë vetura të tjera. Mbështetur në listën prioritare, kabineti kishte vlerësuar se veturat duhet që të dërgohen në Bruksel, Budapest, Berlin, Lubjanë, Zagreb, Dyseldorf, Shtutgart, Frankfurt, Vjenë dhe Strasburg.

Sipas asaj që ka thënë Luan Jakupi, këshilltari i ministres së jashtme, Donika Gërvalla, veturat tashmë u janë dërguar misioneve diplomatike, me përjashtim të asaj të Brukselit për shkak të mosfinalizimit të procedurave që lidhen me lirimin nga Dogana dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

Shef i Ambasadës së Kosovës në Zagreb është Martin Berishaj, i cili kishte dorëzuar letrat kredenciale tek autoritetet e këtij shteti më 20 dhjetor 2021.

Disa muaj pas marrjes së detyrës, për të janë ngritur dyshime për përfshirje në një skandal financiar të raportuar në mediat në Slloveni. Emri i tij është përmendur krahas atij të kryetarit të partisë Lëvizja për Liri në Slloveni, Robert Golob, i cili ka fituar zgjedhjet në prill të këtij viti. Sipas “Planet TV”, politikani slloven është duke u hetuar ndërkombëtarisht për disa transaksione që i ka dërguar nga një degë serbe e furnizuesit energjetik slloven GEN-i, te kompania e ambasadorit kosovar “MB Consulting”. Mbështetur në këtë raportim, kompania e Berishajt i ka marrë 600 mijë euro, të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme dhe që dyshohet se ia ka kthyer Golobit, në mënyrë që ai pastaj t’i investojë ato në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet. Vetë Berishaj i ka mohuar këto akuza teksa ka paralajmëruar ngritjen e padisë ndaj mediumit slloven.

Në pjesën e parë të hulumtimit, KOHA ka raportuar se aktiviteti i prokurimit për blerje veturash është shoqëruar me parregullsi dhe se ka dyshime edhe për ndërhyrje në dosjen e tenderit, të cilën fillimisht kishin refuzuar ta nënshkruanin zyrtarët përgjegjës. Veturat ishin kontraktuar megjithëse nuk ka pasur kërkesa nga Misionet Diplomatike dhe Konsullore. Lista e tyre ishte përpiluar tek pas nisjes së procedurave të tenderimit.