Një ditë para se ta formalizonin blerjen e veturave, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishin bërë ndërhyrjen e fundit në dosje duke i ndryshuar specifikacionet, përfshirë edhe kubikazhën. Po ashtu, veturat nuk janë të pajisura me bazën e shtizave për vendosjen e flamurit, ashtu siç ka qenë e përcaktuar në specifikat fillestare
Ndërhyrje në dosjen e tenderit për furnizim me vetura të misioneve diplomatike dhe konsullore ka pasur edhe në specifikacionet e tyre, duke ia përshtatur furnizuesit edhe pas nënshkrimit të dokumenteve. Kjo konfirmohet nëpërmjet shkresave që Komisioni përkatës i ka adresuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës disa ditë pasi ishin vënë firmat mbi tender.
Ndryshimi i specifikave ishte bërë pas kërkesës së sekretares Elmaze Pireva, më 14 dhjetor 2021.
“Komisioni në përbërje znj. Lirie Berisha, kryesuese, z. Kadri Dakaj, anëtar, z. Naser Bejtullahu, anëtar, z. Ardian Selishta, anëtar dhe z. Mehmet Kraniqi, anëtar, ka shqyrtuar specifikat ekzistuese për blerjen e automjeteve dhe propozimet për plotësim/ndryshime nga udhëheqësja e Divizionit të Prokurimit Publik, dhe rekomandon specifikat për automjetin për shërbime të misioneve diplomatike dhe konsullore, të cilat i janë bashkëngjitur këtij raporti”, shkruan në dokument.
Në shkresën që udhëheqësja e Divizionit të Prokurimit Publik, Shefkinaze Vllasaliu, ia dërgoi sekretares thuhet se janë paraqitur disa detaje të vogla, të cilat nuk ndikojnë në funksionalitetin e automjeteve. Aty përmendet vetëm ndryshimi i specifikave të gomave.
Numri i gomave kërkohet 16 dhe 17 vetura ofrohen me goma nr. 18, që nuk është ndonjë dallim i madh e të humb buxheti për këtë dallim. 2. Në specifika kërkohen goma sezonale, ndërsa veturat ofrohen me goma të verës, ku duke marrë parasysh çmimin e veturave, si dhe këto goma mund të përdoren për sezone verore, nuk duhet të paraqesë problem për blerjen e veturave. Duke hasur në mirëkuptimin tuaj, pres nga komisioni që të bëjë plotësim/ndryshimin e këtyre dy pikave, që të mund të bëjmë blerjen e veturave për shërbime diplomatike, si dhe të mos humb buxheti i paraparë për këtë vit”, shkruan në shkresë.
Po në dokumentacion ka ndryshime edhe sa i përket kubikazhës së veturave.
Derisa në njërin prej tyre specifikohet që vetura të ketë minimum 2450 kubikë, në një tjetër minimumi i kërkuar është 1950 kubikë.
Mbështetur në faturat e nënshkruara me operatorin kroat, del se dy veturat e tipit “Audi A4” janë nga 3 mijë kubikë, kurse tri të tipit “Passat” me kubikazhë 2000.
Totali i shumës së paguar për pesë vetura është rreth 160 mijë euro, nga 300 mijë sa ishin zotuar për këtë aktivitet prokurimi. Mbështetur në dosjen e kontratave, veturat janë blerë më 15 dhjetor.
Në kuadër të pajisjeve shtesë, në dosje është specifikuar se veturat duhet t’i kenë bazën dhe shtizën për vendosjen e flamurit. Por, sipas informacioneve, këto pajisje nuk janë të instaluara në vetura, dhe kjo specifikë është larguar në dokumentin tjetër.
Kërkesa për ndryshim specifikash ishte bërë pasi Komisioni tjetër përkatës ishte marrë vesh me operatorin gjatë dy ditëve të negociatave të zhvilluara më 9 e 10 dhjetor 2021 në Ambasadën e Kosovës në Kroaci.
Kontrata për furnizim me vetura nga personi përgjegjës i administratës është nënshkruar më 5 dhjetor 2021, pra 9 ditë para se të bëhej ndërhyrja në specifikacion. Por Ministria nuk ka treguar nëse Ragip Zejnullahu ka qenë i autorizuar për nënshkrim, pasi në atë periudhë ishte në pritje të sistemimit si ish-zyrtar i Ministrisë së shuar të Diasporës.
Zyrtari përgjegjës i administratës, Xhelal Gega, kishte refuzuar ta nënshkruante vazhdimin e procedurave, sikurse paraprakisht edhe eprori i tij, Agron Maloku, me arsyen se nuk ka pasur kërkesa nga ambasadat për furnizim me vetura.
Lidhur me këtë tender, KOHA ka publikuar tri vazhdime të tjera të cilat konfirmojnë se aktiviteti i prokurimit për blerje veturash është shoqëruar me parregullsi dhe se ka dyshime edhe për ndërhyrje në dosjen e tenderit, të cilën fillimisht kishin refuzuar ta nënshkruanin zyrtarët përgjegjës. Po ashtu, veturat ishin kontraktuar megjithëse nuk ka pasur kërkesa nga misionet diplomatike dhe konsullore. Lista e tyre ishte përpiluar tek pas nisjes së procedurave të tenderimit.
Derisa MPJD-ja e ka cilësuar si të “pjesshme dhe joreale” përmbajtjen e hulumtimit, ajo nuk ka ofruar sqarime për mospërputhjet në dosje dhe dyshimet e ngritura nga KOHA.
Ky aktivitet prokurimi është duke u hetuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit. Burime brenda Ministrisë i kanë thënë KOHËS se të premten e kaluar, më 27 maj, zyrtarë të Krimeve Ekonomike u kanë dërguar thirrjet për intervistim zyrtarëve të përfshirë në këtë aktivitet prokurimi, përfshirë edhe kabinetin e ministres Gërvalla.
Më 2 qershor, prokurori i shtetit njoftoi se ka filluar procedurën e verifikimit dhe të hetimit për të gjitha shkrimet e publikuara ditëve të fundit në media lidhur me rastet e dyshuara për korrupsion.