Komuna e Kamenicës, që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, është e para në listën e komunave që do të përfitojnë më së shumti nga projektet e reja kapitale të ministrive për vitin 2022, për kokë banori, ka bërë të ditur Instituti GAP të enjten në raportin “Ligji për Buxhet 2022: Favorizimet dhe diskriminimet e komunave në investimet kapitale”.
Me 27 euro investime për kokë banori, komuna e udhëhequr nga Kadri Rahimaj lë prapa Komunën e Vitisë, të udhëhequr nga LDK-ja, me 15.65 euro për kokë banori. Një tjetër komunë e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje mbyll top-treshen e komunave që kanë përfituar më së shumti nga projektet kapitale të ministrive për vitin 2022. Bëhet fjalë për Podujevën e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi që do të përfitojë investime në vlerë prej 14.54 euro për kokë banori.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo
Projektet e reja të ministrive, që do të nisin sivjet, rreth 10.3 milionë euro, do të shpërndahen në 20 komuna. Komunat e udhëhequra nga PDK-ja (tetë komuna) do të kenë përfitimet më të mëdha në shumë, por jo në raport për kokë banori.
Nga 10.3 milionë euro, në ndarjen e projekteve të reja të ministrive në komunat sipas subjektit politik, komunat e udhëhequra nga PDK-ja (32 për qind e popullsisë) do të përfitojnë 3.64 milionë euro. Tetë komunat e udhëhequra nga LDK-ja (30 për qind e popullsisë) do të përfitojnë 2.73 milionë euro nga shuma e ndarë për projektet e reja të ministrive në komuna. Ndërsa katër komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje (11 për qind e popullsisë) do të përfitojnë 2.63 milionë euro. Ato të udhëhequra nga AAK-ja (16 për qind e popullsisë) do të përfitojnë 1.23 milionë euro.

Nga buxheti total i ministrive, rreth 515 milionë euro janë planifikuar në projekte kapitale nga të cilat rreth 97 milionë euro do të investohen në 33 komuna. Në Buxhetin 2022, GAP-i ka vlerësuar se ka pasur pak hapësirë për projekte të reja. Mbi 86.8 milionë euro apo 89 për qind e projekteve të ministrive në komuna janë vazhdim i viteve të kaluara. Komunat e Junikut dhe Deçanit janë përfitueset më të mëdha në raport me përqindjen e tërë investimeve kapitale krahas popullsisë në dy vitet e fundit. Ndërkaq në shuma përfitueset më të mëdha do të jenë Komunat e Prizreni me 1.9 milionë euro, ajo e Prishtinës me 1.5 milionë euro, Podujevës me 1.2 milionë euro dhe Gjakovës me një milion euro.
Sa i përket investimeve në tërësi të ministrive nëpër komuna, duke i përfshirë vazhdimet e projekteve dhe projektet e reja, investimet mesatare për kokë banori te komunat e udhëhequra nga AAK-ja do të jenë më të lartat me 95.56 euro. Në komunat e udhëhequra nga LDK-ja investimet do të jenë prej 37.88 euro për kokë banori. Në të PDK-së 58.52 euro e në të Vetëvendosjes 50.29 euro.
Në vazhdimësi qeveritë në Kosovë janë kritikuar për mbështetje shtesë për komunat që udhëhiqen nga partia e cila është në pushtet qendror.