Arbëri

GAP për projektbuxhetin 2025: Shpërndarje më e barabartë e investimeve kapitale të reja për komunat

GAP

Instituti GAP ka thënë se në projektbuxhetin për vitin 2025, është bërë shpërndarje më e barabartë e investimeve kapitale të reja nga Qeveria qendrore për komunat. Në prezantim të raportit “Projektbuxheti 2025 – Analizë e të hyrave dhe shpenzimeve”, GAP-i ka bërë të ditur se vlera e investimeve të reja kapitale të Qeverisë në komuna është 22 milionë euro.

Komunat e udhëhequra nga Partia Demokratike e Kosovës marrin pjesën më të madhe të këtij buxheti, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ato të Vetëvendosjes dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Sipas analizës së GAP-it: 

  • Komunat e udhëhequra nga PDK (Kaçaniku, Drenasi, Ferizaji, Prizreni, Vushtrria, Mitrovica e Jugut dhe Skënderaji) marrin gjithsej 6.7 milionë euro apo 30.4% të investimeve të reja kapitale nga niveli qendror. Këto komuna përbëjnë 22.7% të sipërfaqes së Kosovës dhe 31.5% të popullsisë.
  • Komunat e udhëhequra nga LDK (Prishtina, Peja, Lipjani, Fushë Kosova, Dragashi, Istogu dhe Vitia) marrin gjithsej 5.6 milionë euro apo 25.6% të investimeve të reja kapitale nga niveli qendror. Këto komuna përbëjnë 24.7% të sipërfaqes së Kosovës dhe 33.1% të popullsisë.
  • Komunat e udhëhequra nga VV (Podujeva, Shtime, Kamenica, Gjilani dhe Mitrovica e Veriut) marrin gjithsej 5 milionë euro apo 22.7% të investimeve të reja kapitale nga niveli qendror. Këto komuna përbëjnë 14.5% të sipërfaqes së Kosovës dhe 12.7% të popullsisë.
  • Komunat e udhëhequra nga AAK (Gjakova, Deçani, Rahoveci, Suhareka dhe Klina) marrin gjithsej 3.4 milionë euro apo 15.4% të investimeve të reja kapitale nga niveli qendror. Këto komuna përbëjnë 16.8% të sipërfaqes së Kosovës dhe 14.1% të popullsisë.

 

Në raport theksohet se komuna me vlerën më të lartë të investimeve të reja është Podujeva me 2.1 milionë euro, pasuar nga Kaçaniku me 1.8 milionë euro dhe Drenasi me 1.65 milionë euro. Këto tri komuna së bashku përbëjnë 25.3% të investimeve të reja kapitale nga niveli qendror. 

“Megjithatë, kur analizohen investimet për kokë banori, komunat më të vogla si Kaçaniku (PDK), Mitrovica e Veriut (VV) dhe Shtimja (VV) dalin në krye, çka sugjeron se madhësia e komunës nuk është faktori i vetëm përcaktues në shpërndarjen e investimeve të reja kapitale nga niveli qendror. Analizuar për kokë banori, Kaçaniku ka vlerën më të lartë me 65.17 euro, pasuar nga Mitrovica e Veriut me 63.94 euro dhe Shtimja me 52.22 euro”, thuhet në raport.