Kryeministri Albin Kurti, gjatë vizitës në Zvicër, është ndalur për vizitë edhe në një fabrikë çokollatash.
Zyra e kryeministrisë ka bërë të ditur të mërkurën se shefi i ekzekutivit kosovar ka vizituar fabrikën zvicerane të prodhimit të çokollatës “Läderach”.
“Duke shprehur kënaqësinë për vizitën, kryeministri Kurti ka thënë se zakonisht kur mërgata jonë e madhe vjen në Kosovë, i sjellë familjes çokollata zvicerane. Me çokollatën zvicerane mirëpritet secili në Kosovë, por edhe kudo tjetër, ka thënë kryeministri”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Kurti u ka bërë ftesë drejtuesve të fabrikës që të kenë parasysh hapjen e një dege të prodhimit të çokollatës edhe në Kosovë.
“Për shkak të diasporës sonë të madhe, posaçërisht në vendet gjermanofolëse Zvicër, Gjermani dhe Austri dhe dërgesave të tyre prej një miliard euro në vit, konsumi vendor është në shkallë të mirë, ka thënë kryeministri Kurti”, thuhet tutje në komunikatë.
Kurti po vazhdon vizitën në Zvicër tash e dy ditë, ndërkohë që në këtë vend, shkoi pas 18 ditëve vizitë në SHBA.
