Arbëri

Kuqi: Kërcënimet e SBASHK-ut janë bërë monotone, le të kërkojnë cilësi

Mësimdhënësit në Kosovë kanë hyrë në grevë njëorëshe të enjten me kërkesën që të paguhen me nga 100 euro shtesë në muaj deri në miratimin e Ligjit të pagave.

Por, kërkesa e vazhdueshme për pagat po vlerësohet e pakuptimtë dhe e panevojshme.

Gurakuq Kuqi, njohës i çështjeve politike, ka thënë në emisionin SOT në KTV se Sindikata e Bashkuar e Arsimit duhet të kërkojë cilësi në arsim para rritjes së pagave.

“Asnjëherë sindikata nuk ka kërkuar që ta ketë një staf më cilësor dhe të përfaqësojë një staf më cilësor. E vetmja kërkesë e tyre ka qenë ngritja e pagës vazhdimisht, por nuk janë kujdesur për stafin e vet. Stafi përballet me mungesa të pajisjeve në shkolla, sindikata nuk bën kërkesë të tillë asnjëherë”, ka thënë ai.

Kuqi tha se SBASHK-u po bën veprime penale me grevat që po ndërmerr në dëm të nxënësve.

“Protesta në botë janë mbajtur jo vetëm për paga por pse ka kufizime të mëdha kundër koronavirusit dhe fëmijët po humbin shumë, kurse te ne bëhet kërcënimi se nuk do të zëvendësohet asnjë orë mësimore. Sindikata është duke bë edhe veprime penale sepse po i lë fëmijët të mos edukohen në mënyrën e duhur”.

Sipas tij, kërcënimi i sindikatës ndaj qeverive është monoton dhe negativ.

“Sindikatat e arsimit në Kosovë përveç nuk kujdesen për kushtet e mësimdhënësve, se si po transmetohet mësimi te nxënësit, si të ketë shoqëri të mirë, ata bëjnë kërcënime të vazhdueshme ndaj qeverive – është normale kërkimi i rritjes së pagës – por kërcënimet e vazhdueshme janë bërë aq monotone dhe po ndikojnë negativisht në shoqëri sa ata nuk përgjigjen asnjëherë si kemi staf të ulët të nivelit akademik”.

Kuqi ka thënë se mësimdhënësit kanë pagë shumë të mirë në krahasim me punën që e bëjnë.

“Pagat e mësimdhënësve krahasuar me pagat në nivel të Kosovës në të gjitha lamitë nuk janë të ulëta dhe përkundër punës që bëjnë marrin pagë më të mirë sepse bëjnë punë gjysmë ditore ose më pak. Qeveria para se të bëjë ngritën e pagave duhet të bëjë testimin dhe verifikimin dhe duhet të merret më shumë me çështjen e qytetarëve që është arsimi”.

Fajin Kuqi e sheh edhe te Ministria e Arsimit e cila, thotë ai, po i krijon hapësirë sindikatave të keqpërdorin arsimin në Kosovë.

“Ka mungesë të zbatimit të kompetencave të veta nga ministria vetë dhe se po gjen arsyetime që i shmang këto çështje. MASHTI kurdo që i drejtohemi me kërkesë për korrupsion dhe për çdo gjë ata nuk përgjigjen dhe kjo i trimëron sindikatat dhe ata që e keqpërdorin çështjen e arsimit”, theksoi ai.

E, Jeton Brajshori, sociolog, ka thënë se kërkesa për 100 euro shtesë është bërë për t’i përmbushur apetitet sindikalistët.

“Kjo është më tepër për t’i përmbushur apetitet e vetë sindikalistëve dhe partitë politike që i kanë futur në këto ujëra”, tha ai.

Brajshori shtoi se me grevat dhe protestat në arsim më së shumti po humbasin fëmijët.

“Sindikata e arsimit më mirë do të ishte të protestojë dhe të kërkojë fonde më shumë nga ministria shëndetësisë për projekte për infrastrukturë e laboratorë në shkolla sesa që janë barrikaduar në ngritje page. Këta janë duke ja humbur sensin fëmijëve për shkollë. Kjo është shumë rrezikshme për një shoqëri sepse fëmijët janë e ardhmja”, tha ai.