Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, ka thënë se mësimdhënësit nuk janë të kënaqur me pagat dhe se po shikohet mundësia e një greve. Sipas tij, nëse do të merret vendimi për këtë masë, atëherë greva do të jetë, siç e ka quajtur ai, e heshtur. Kjo, tha Jasharaj, nënkupton se mësimdhënësit nuk do të japin maksimumin në orë e do të vonohen disa minuta. E njohësit e fushës së arsimit, thonë se kjo nuk guxon të ndodhë
Sindikalistët e arsimit kanë paralajmëruar mundësinë e një tjetër greve në shenjë pakënaqësie për nivelin e pagave.
Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK), tha se nëse ndodh, kësaj here greva do të bëhet në një formë tjetër.
Ai e ka quajtur “grevë e heshtur”.
“‘Grevë e heshtur’ në arsim nënkupton kur mësimdhënësit i humbin disa minuta para orës mësimore dhe hyn në debatet që hapen në sallat e arsimtarëve për pakënaqësi që nuk gjejnë zgjidhje, kryesisht në rastin konkret kur kryeministri Kurti dhe ministrja Nagavci as që duan të takohen me ne e të dëgjojnë hallet tona”, ka thënë Jasharaj.
Sipas tij, është ironike për mësimdhënësit një rritje e pagës prej 28 eurosh.
Më 2024, koeficienti i pagës është rritur nga 105 në 110, por sipas Jasharajt, kjo nuk mjafton.
Ai ka shprehur shqetësimin edhe për largimin e mësimdhënësve. Përkatësisht shfrytëzimin e një viti pa pagesë për të dalë jashtë vendit.
Jasharaj u shpreh se kjo është shqetësuese dhe se ka pritur reagim nga institucionet.
“Ne nuk kemi shifra të sakta sepse nuk jemi marrë drejtpërdrejt me këtë çështje por në komuna e dinë dhe të iu them se ne kur e morëm numrin prej 300 e që po rriten, kemi pritur që Drejtoria Komunale e Arsimit e MASHTI-it do kenë takime urgjente për të parë çka e pse po ndodh kur dihet se vitet e kaluara numri i atyre që kanë kërkuar pushim pa pagesë ka qenë minimal. Jemi frikësuar shumë nga kjo rritje, pasi mund të kaloj në shprehi, e mund të ndodhë që të kemi ikje të vazhdueshme dhe them se mësimdhënësit e Kosovës nëse zgjedhin rrugë të tillë nuk bëjnë mirë. Mirëpo arsye kanë ngase janë të zhgënjyer”, ka thënë Jasharaj.
E njohësi i fushës së arsimit dhe drejtori i institutit Edguard”, Rinor Qehaja, tha se kjo nuk guxon të ndodhë. Ai ka ftuar sindikatën të shfrytëzojë negociatat si partnere sociale me Qeverinë.
“Nuk vlerësoj që kërcënimi me grevë në heshtje është serioz, pasi që nuk guxoj të mendoj që ka ndonjë mësimdhënës që futet në proces mësimor e në heshtje dhe me qëllim nuk performon si duhet. Unë jam shumë i bindur në përgjegjësinë e madhe që shumë mësimdhënës e kanë karshi nxënësve. Në të njëjtën kohë ajo që padyshim i thërras sindikatën dhe si përfaqësuese e komunitetit të mësimdhënësve është po që të shfrytëzojnë negociatat si partnerë social me Qeverinë për me e rritë koeficientin dhe për me i rritë kushtet e punës së mësimdhënësve”, ka thënë Qehaja. “Mirëpo në asnjë moment të mos kërcënojnë me greva në heshtje që cenojnë të drejtën për një shkollim të mirëfilltë që i takon çdo nxënësi të këtij vendi”
Pagat e punonjësve në institucionet e ciklit të ulët dhe të mesëm, me koeficientin e rritur sivjet në 110 euro, variojnë nga 550 deri në 693 euro.
Mësimdhënësit grevën e fundit e mbajtën në fillim të vitit shkollor 2022/23, pak para hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat. Greva zgjati një muaj.