Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Grajqevci: Kandiqi di, por nuk i jep informatat për varrezat masive në Serbi

Kryetari i Këshillit Koordinues për të Zhdukurit, Ahmet Grajqevci, ka thënë se aktivistja serbe, Natasha Kandiq, di për varreza masive të shqiptarëve të Kosovës në Serbi, por që sipas tij, ajo nuk jep informata.

Grajqevci ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së të enjten, se largimi i shoqatave të të pagjeturve në kohën kur Kandiqi mori fjalën të mërkurën në Prishtinë, në tryezën "Afër dy dekada e gjysmë pas luftës, cili është fati i personave të pagjetur?", organizuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, është bërë pasi ata thjeshtë nuk kanë dashur ta dëgjojnë atë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ne nuk ishim aty që ta dëgjojmë Kandiqin, por që t’u drejtohemi institucioneve të Republikës së Kosovës për kërkesat tona. Ne as nuk e kemi ofenduar Kandiqin, as nuk e kemi fyer, as nuk i kemi thënë diçka të keqe. S’kemi dashur ta dëgjojmë fjalimin e saj. Le ta dëgjojnë ata që i ka themeluar Beogradi në Kosovë. Qendrën Burimore e ke të themeluar direkt prej Velko Odaloviqit. Ne shkurt e trup njëherë kemi thënë që nuk bashkëpunojmë me Natasha Kandiqin dhe me organizata të cilat nuk janë në Kosovë. Çka di Natasha Kandiqi nuk t’i jep sekretet. Vuçiqi dhe Daçiqi hapur e kërcënuan edhe Kandiqin edhe të gjithë dëshmitarët që kemi, se ai që jep dëshmi se ku gjenden varrezat masive, do të dënohet me ligjin më të rëndë të Republikës së Serbisë. Unë besoj që ajo di më shumë, nuk tregon, jo vetëm zonja Kandiq por edhe shumë të tjerë”, ka thënë Grajqevci.

Sipas tij, çështja e personave të zhdukur është tërësisht politike, duke thënë se Serbisë kur i duhet, zbulon varreza masive.

Grajqevci ka thënë po ashtu se as BE-ja nuk është e interesuar që t’i zbulojë varrezat masive në Serbi.

“BE-ja e ka përkëdhelur vazhdimisht Serbinë rreth këtij procesi. BE-ja s’ka qenë e interesuar se po të ishte brenda 24 orëve do të kishte përfunduar kjo. Këta e dinë me vend se ku janë varrezat masive edhe të Kosovës edhe të Bosnjës, edhe të Kroacisë”, është shprehur ai.