Arbëri

PSD-ja dorëzon kallëzim penal ndaj Kurtit, e akuzon se mashtroi për t'u shpallur veteran i UÇK-së

Partia Socialdemokrate ka dorëzuar sot kallëzim penal ndaj kryeministrit Albin Kurti për rastin e deklarimit të tij si veteran i UÇK-së.

Kjo parti e dorëzoi padinë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dren Kuka, aktivistë i PSD-së tha se kanë bërë kallëzim penal ndaj kryeministrit Kurti për deklarim të rremë.

Ai ka bërë thirrje që urgjentisht të fillojnë hetimet ndaj Kurtit, duke shtuar se prova dhe baze materiale që ka kryeministri Kurti, sipas tij ka konsimuar vepren penale të lartcekur.

Kryetari i PSD-së, Daradan Molliqaj thotë se Kurti është veteranë i rrejshëm dhe se synimi i tij nuk është t’i luftojë e veteranët e rremë por që të përbaltë veteranin e vërtetë.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës tashmë është e qartë se ka një synim, jo t’i luftojë veteranët e rrejshëm, sepse i rremë është vetë. Ne do ta mbështesnim për t'i pastruar listat. Por kryeministri kishte një synim ta baltoste veteranin e vërtetë, ta rrisë presion publik ndaj veteranëve në përgjithësi, në mënyrë që ta ndërrojë një nen të Ligjit për veteranët e UÇK-së. Ai nen ka të bëjë me lidhjen e drejtpërdrejt të pagës minimale me kompensimin që i bëhet veteranëve. Kryeministri nuk e ka plan me i pastru listat e as me i hjek veteranët e rrejshëm sepse i tillë është vetë. Por e ka plan me e shkëput lidhjen ligjore që është mes pagës minimale dhe pagës ose kompensimit për veteranë. Në vend të bëjë një diskutim të hapur e publik për këtë çështje ai zgjedhi që ta përbaltoste edhe njëherë veteranin. Ne e kemi thënë se kur i sulmon të gjithë e sulmon të vërtetën. Ne besojmë që prokuroria tashmë i ka të gjithë shkresat e nevojshme që të nisin hetimet menjëherë dhe kryeministri i Kosovës të del para drejtësisë”, tha Molliqaj.

Molliqaj thotë se Kurti ka qenë në UÇK por nuk ka qenë luftëtarë.

“Albin Kurti ka qenë në UÇK, ka qenë edhe pjesëtarë, por me një detyrë tjetër. Por nuk ka qenë luftëtarë. Ne jemi duke e sulmuar atë që ai po i sulmon të tjerët. Të gjitha materialet ekzistojnë, kur është kyç, kur ka dhënë dorëheqje nga UÇK-ja dhe kur është arrestuar dhe ligjet që e përcaktojnë çka është deklarim i rrejshëm dhe cilat janë kriteret për tu plotësuar për të qenë veteranë luftëtarë”, tha Molliqaj.

I pari i PSD-së tha edhe se qasja e Qeverisë Kurti 2 është anti UÇK.

“Qasja e Qeverisë Kurti, sidomos e Qeverisë Kurti 2 ka qenë qasje anti-UÇK. Kur them anti-UÇK nuk them se nuk e don UÇK-në, por ka pasur një tendencë të vazhdueshme të tij për me rishpjegu këtë, me ridizjanuar dhe me ripërcaktu kush janë udhëheqësit dhe ata që kanë sakrifikuar, kush janë luftëtarë, kush janë veteranët në kuadër të perspektivës së tij për historinë”, theksoi ai.