LAJMET E MBRËMJES

PSD-ja dorëzon kallëzim penal ndaj Kurtit për statusin e veteranit

“Nuk janë 60 mijë veteranë. Nuk janë 60 mijë veteranë. Nëse dikush dëshiron ta gënjejë vetveten, nuk mund të më gënjejë mua. 60 mijë veteranë të UÇK-së nuk janë, janë maksimalisht 20 mijë. Unë po ju tregoj të vërtetën, që duhet të jetë edhe rezultati dhe do t’i gjejmë mënyrat se si do t’i luftojmë këto deformime”.

Kjo deklaratë e kryeministrit Kurti në emisionin “DESKU”, në KTV, ka nxitur reagime të shumta gjatë këtyre ditëve në publik.

Madje gjatë së mërkurës, Partia Socialdemokrate ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ndaj Kurtit për deklarim të rremë të statusit të tij si veteran.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se kryeministri ka për synim ta përbaltosë veteranin e vërtetë dhe se ai nuk ka qenë luftëtar në UÇK.


“Kryeministri i Republikës së Kosovës tashmë është e qartë se ka një synim, jo t’i luftojë veteranët e rrejshëm, sepse i rremë është vetë. Ne do ta mbështesnim për t'i pastruar listat. Por kryeministri kishte një synim, ta baltoste veteranin e vërtetë, ta rrisë presion publik ndaj veteranëve në përgjithësi, në mënyrë që ta ndërrojë një nen të Ligjit për veteranët e UÇK-së. Ai nen ka të bëjë me lidhjen e drejtpërdrejtë të pagës minimale me kompensimin që u bëhet veteranëve”, tha Molliqaj.

I ashpër në reagim për këtë çështje ishte edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili përmes një statusi e ka quajtur të papranueshme shfrytëzimin e kësaj kategorie të shoqërisë.

“Kategoritë e lirisë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dëshmorët e të gjitha kohërave, invalidët, veteranët, familjet e martirëve, të pagjeturit, të burgosurit politikë e të persekutuarit, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, janë edhe dhembja edhe krenaria jonë. Ata janë testamenti ynë, themeli ynë për të ardhmen.

E vërteta e kategorive të lirisë është e të gjithë neve. Ata që nuk janë të vërtetë, nuk janë të asnjërit prej nesh.

Por të shfrytëzohen të pavërtetit për të turpëruar të vërtetit, është e papranueshme, është mallkim për brezat”, tha Haradinaj.

KOHA nuk ka mundur të marrë përgjigjeje nga ekzekutivi lidhur me këto pretendime.