Korporata Energjetike e Kosovës është sqaruar rreth konkursit për punësimet e reja nëpërmjet konkursit për plotësimin e 150 pozitave të lira, për çka Prokuroria Themelore në Prishtina ka konfirmuar se ka nisur hetimet.
Nëpërmjet një deklarate sqaruese, KEK-u ka thënë se rezultatet janë publikuar për 128 pozita nga gjithsej 150 për sipas shpalljes publike. Ndërsa për 17 pozita KEK-u ka thënë se ende nuk janë të plotësuara dhe vazhdon procedura e rekrutimit.
“Pavarësisht faktit se KEK ka bërë përpjekje për të respektuar kriteret e shpalljes publike si dhe dispozitat ligjore të Ligjit të Punës në fuqi dhe detyrimeve ligjore të dala nga aktet nënligjore për çështjen e rekrutimit të punëmarrësve, KEK është duke përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Kjo korporatë ka thënë se të gjithë ankesat do të shqyrtohen me kujdes të madh dhe do të korrigjohen gabimet e evidentuara si dhe do të merren masa adekuate konform ligjit për çdo shkelje të mundshme në proces.
“Lidhur me këtë, KEK inkurajon çdo aplikues që konsideron se i janë shkelur të drejtat e garantuara me dispozita ligjore, të parashtroj ankesë brenda afatit ligjor në komisionin e ankesave”, përfundon komunikata e KEK-ut.
Të hënën, disa media raportuan për dyshime për dallavere në punësimin e më shumë se 100 personave.
Sipas Prokurorisë, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të këtyre pretendimeve, konform dispozitave ligjore në fuqi.
Përveç në media, të martën, edhe partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se ka emëruar militantë në KEK dhe kërkoi anulimin e konkursit, derisa ftoi Prokurorinë për hetime.
Ndërkaq kryeministri Albin Kurti ka mohuar akuzat se në Korporatën Energjetike të Kosovës janë punësuar përkrahës të Vetëvendosjes. Kurti ka thënë se nëse ka pasur parregullsi në konkursin në KEK, të njëjtat do të rregullohen me shqyrtimin e ankesave.