2 perditesime
12:32

Të enjten mbahet takimi i grupeve negociuese për marrëveshjen për targat

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se të enjten do të mbahet takimi i radhës mes grupeve negociuse për marrëveshjen për targat.

Bislimi ka thënë gjatë raportimit para Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit se takimi tjetër do të zhvillohet më 20 prill, derisa me 21 prill duhet të dilet me një qëndrim se a është arritur apo jo marrëveshja.

Ai ka thënë se janë disa propozime për këtë marrëveshje por që ato s’mund t’i shpalos aktualisht.

12:23

Bislimi: Presioni për t'i rritur pagat është i pashëndetshëm për ekonominë

Zëevendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të premten para Komisionit për Integrime Evropiane, se presioni për rritje të pagave në sektorin publik është i pashëndetshëm për ekonominë.

Bislimi ka thënë se pagat nuk caktohen në bazë të dëshirës.

“Pagat nuk caktohen në bazë të dëshirës. Çdo kund e ka njëfarë logjike se si ecin pagat në sektorin publik sesa privat. Ky presion me i rrit pagat është i pashëndetshëm për ekonominë”, ka thënë Bislimi.

Sipas tij nëse ideja e Ligjit të Pagave është që të sigurohen paga të dinjitetshme, atëherë po i bie që ato janë të padinjitetshme aktualisht.

Bislimi ka folur edhe për largimin e mjekëve nga Kosova teksa për këtë ka dhënë një arsyetim.

“A e din pse shkojnë mjekët ne Gjermani, se mjekët gjermanë ikin prej Gjermanisë”, është shprehur Bislimi.

11:39

Bislimi: Kemi plan ambicioz për integrim evropian këtë vit

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka thënë të premten se kanë plan ambicioz për integrimin evropian të Kosovës këtë vit.

Këtë deklaratë Bislimi e ka bërë gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për Integrim Evropian, teksa ka thënë se për të gjitha procese një rol të madh e ka edhe Kuvendi i Kosovës, të cilin e ka kritikuar për mosmiratim të disa projektligjeve.

“Si Qeveri kemi vendos plan shumë ambicioz për integrimin evropian këtë vit. Për të gjitha këto procese ne duhet t’i kryejmë detyrat tona të shtëpisë ashtu siç kemi premtuar. Dokumenti ynë i parasheh obligimet e Qeverisë por pastaj në përmbushjen e këtyre obligimeve është Kuvendi sepse një masë konsiderohet e përmbushur pasi të miratohet në Kuvend”, ka thënë Bislimi.

Ai ka renditur një varg projektligjesh që nuk kanë kaluar ende në Kuvend e që janë pjesë e masave të ERA 2 dhe MSA.

“Aprovimi i këtyre projektligjeve në Kuvend në mënyrë drastike i përmirëson statistikat për zbatimin e ERA-s dhe planin kombëtar të zbatimit të MSA-së

Kryetarja e Komisionit për Integrim, Rrezarta Krasniqi ka reaguar ndaj Bislimit duke i thënë se nuk është faji i komisionit për moskalimin e projektligjeve.

Sipas Krasniqit faji për moskalimin e projektligjeve është i pushtetit derisa ka marrë shembull mosmiratimin e Kodit Civil.


Bislimi: Grupet parlamentare kanë shprehur vullnetin që të ketë konsensus për reformë zgjedhore

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se grupet parlamentare kanë shprehur vullnetin që të ketë konsensus në reformën zgjedhore dhe se këtë vullnet e kanë shprehur edhe në takim me partnerët ndërkombëtarë.

“Kanë shprehur vullnet të mirë që të bëhen pjesë e këtij procesi dhe këtij konsensusi. Nga BE-ja reforma elektorale ka një prioritet. Kuvendi ta fillojë formimin e grupit adhoc për reformën”, ka thënë Bislimi në Komisionin për Integrim Evropian.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, në anën tjetër ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk po kontribuon në arritjen e një konsensusi me partitë tjera.

Ajo ka përmendur mospërgjigjen e ministrave për raportim në Komision, derisa ka thënë se si zëvendëskryeministër do të duhej të adresonte rëndësinë e raportimit të tyre në Komision.