Një deklaratë e kryeministrit Albin Kurti se nuk janë 60 mijë veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe paralajmërimi për pastrim të listës së veteranëve, ka rikthyer debatin mbi këtë çështje. Teksa pushteti ka akuzuar ish-pushtetet për fryrje të listës, nga opozita kanë kërkuar që Kurti të veprojë me ngritjen e pensioneve për veteranët, në kohë krize ekonomike.
Të enjten e shkuar, kryeministri Kurti në emisionin “Desku” në KTV u shpreh se duhet të gjinden mënyrat se si të mënjanohen “deformimet” në evidenca. Debati mori hov pas diskutimeve që nisën për ndryshimin e pagës minimale, e që është e lidhur edhe me pensionin për veteranët.
“Veteranët e luftës meritojnë më shumë sesa paga minimale. Por edhe duhet t’i bëjmë evidencat e sakta, nuk janë 60 mijë veteranë. Nëse dikush dëshiron ta gënjejë vetveten, s’mund të më gënjejë mua. Maksimalisht janë 20 mijë. Duhet t’i gjejmë mënyrat sesi t’i largojmë këto deformime”, pati thënë Kurti.
Vetëm një ditë më pas, në një takim që kryeministri ka pasur me përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, është paralajmëruar pastrimi i listave.
“U diskutua edhe çështja e pastrimit të listave, për çfarë përfaqësuesit nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shprehën gatishmëri për të gjetur mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen me Qeverinë”, thuhej në njoftimin e Qeverisë lidhur me takimin Kurti – OVL e UÇK-së.
Pas debatit të nisur për pagë minimale e pastrim të listave, ishte kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, që kërkoi që veteranëve t’u rritet pensioni, për shkak të krizës me ngritjen e çmimeve.
“Përballë të gjithë atyre që iu mungojnë të dashurit e vet, ata e meritojnë një lajm të mirë prej nesh. Ata nuk e kanë lajmin e mirë që t’u rriten pensionet, por ata nuk i pranojnë as diskutimet se kush është veteran i vërtetë e kush jo”, qe shprehur Haradinaj.
Në një konferencë për media të enjten, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se nuk është kryetari i tij, Ramush Haradinaj, ai që kërcënon për çështjen e veteranëve, por “Kurti gjykatat dhe sundimin e ligjit”.
“Ramushi veç po iu kallëzon. S’mundesh me i thanë sa ushtarë i ka pasur Dukagjini, sepse ke qëndruar në Prishtinë. Mund të më tregosh sa njerëz i ke pasur në qeli e sa ke vuajtur e atë vuajtje t’ia njohim, por jo se me sa njerëz ka luftuar Dukagjini. Është e pakuptimtë, joserioze, me e prek dinjitetin e secilit ushtarak, secilës familje të dëshmorëve, secilit njeri të plagosur që një ditë e ka marrë luftën, e s’ka pi kafe nëpër qyshe e skaje”, ka thënë Tahiri.
Ndërkaq deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, e ka akuzuar Kurtin se po e aktualizon debatin për veteranët “në mungesë të projekteve dhe vizionit për të qeverisur”.
“Prandaj po rrimë në temën e veteranëve dhe po i parashtrojmë disa pyetje Kurtit. - A e dinë sa janë të ardhurat mujore të një veterani të UÇK-së? A mundet një veteran t’i mbulojë nevojat mujore me të ardhurat e tij? Sa veteranë kanë mungesa të protezave? Sa veteran vuajnë nga traumat e luftës? - A ja del një veteran me te ardhurat e tij t’i ngopë fëmijët me bukë, të sigurojë veshmbathje për ta, të siguroj barna për shëndetin e tij? Sipas tij, veteranët e meritojnë shpërblimin për kontributin, por jo pagën minimale, pasi ajo merret prej punës që bën dhe nuk është dekoratë”, ka shkruar Musliu në Facebook të mërkurën.
Në mbrojtje të shefit të tij të partisë ka dalë deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, që ka akuzuar PDK-në e AAK-në për fryrje të listave.
“‘Veteranët’ e rrejshëm, titullin e tyre nuk e kane marrë në fushëbeteja të luftës, por në zyrat e partive të PDK-së e AAK-së. PDK e AAK, këto ‘fabrika’ prodhuese të dëmeve ndaj luftës!”, ka shkruar Bajqinovci të mërkurën në mbrëmje.
Tashmë ka pasur lëvizje për ngritje të pagës minimale. Me Ligjin për veteranët pensioni aktualisht është i njëjtë me pagën minimale në vend, 170 euro, deri në kategorizimin e veteranëve.
Qeveria Kurti ka paralajmëruar ngritjen e pagës minimale dhe heqjen e “pengesave”, me synimin që ta ndryshojë Ligjin për veteranët, atë për persona të verbër dhe të statusit dhe të drejtat e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë, që këtyre kategorive të mos u garantohet pensioni në lartësinë e pagës minimale.
Ditë më parë, Qeveria propozoi pagë minimale prej 264 eurosh, por kjo u refuzua nga sindikatat, që kanë kërkuar pagë së paku 350 euro.
Aktualisht, paga minimale është 130, përkatësisht 170 euro.
Në janar është bërë një vit nga vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë për t’i liruar anëtarët e Komisionit Qeveritar rreth njohjes dhe verifikimit të statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së, të akuzuar për korrupsion në këtë proces.
Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë vendim lidhur me rastin, pasi Prokuroria Speciale e ka ankimuar vendimin e shkallës se parë.
Në vitin 2016, Komisioni qeveritar për verifikimin e veteranëve hartoi një listë me 46 mijë emra, për të cilët tha se ishin pjesëtarë të UÇK-së. Rreth 38 mijë prej tyre marrin pensione.
Por aktakuza e ngritur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, pretendonte që 19 mijë prej tyre kanë fituar këtë status në kundërshtim me ligjin. Për këtë çështje pjesë e aktakuzës ishin anëtarët e Komisionit: ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
PSRK-ja pretendonte se me këto veprime të të pandehurve, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej 88.769.217.04 eurosh.