Kulturë

Muzeu i Artit Bashkëkohor larg funksionalizimit, hulumton me 60 mijë euro

Muzeu i Artit Bashkëkohor larg funksionalizimit, hulumton me 60 mijë euro

Kosova zyrtarisht është bërë me Muze të Artit Bashkëkohor në janar të vitit 2024. Por edhe pas kësaj kohe, MAB-i mbetet institucion veç në letër. Numëron pesë veta në staf dhe ushtruesen e detyrës së drejtorit. Është miratuar Statuti i institucionit, është përzgjedhur logoja e MAB-i ka edhe vulë. S’ka seli, pasi stafi funksionon në ambientet e Ministrisë së Kulturës

Pa drejtor, por me ushtrues detyre, pa këshill artistik e staf të kompletuar dhe kryesorja, pa shtëpi të veten, Muzeu i Artit Bashkëkohor synon hulumtime. Janë tetë projekte që peshojnë 58 mijë e 500 euro që janë përzgjedhur si përfitues nga thirrja në pesë tema. Por kjo thirrje me këto tema nuk shihet si mënyra më e mirë e nisjes së funksionimit të një institucioni të ri si Muzeu i Artit Bashkëkohor. Madje shihet si nismë improvizuese dhe keqpërdorim i buxhetit

Projekti i parë i Muzeut të Artit Bashkëkohorë është thirrja publike për hulumtim në pesë tema dhe sipas listës preliminare të fituesve të përzgjedhur mban kosto prej 58 mijë e 500 eurosh. Institucioni më i ri artit në Kosovë ka zgjedhur që nëpërmjet një thirrjeje për hulumtim, të bëjë hapin e parë në veprimtarinë e vet. Pa drejtor, por me ushtrues detyre, pa këshill artistik e staf të kompletuar dhe kryesorja, pa shtëpi të veten,  MAB-i  synon hulumtime. Madje edhe për hulumtimin e themelimit të vet pa pasur kurrfarë historie. Por të paktën në këtë temë del të mos ketë pasur interesim për ndonjë hulumtim. Ishin gjithsej pesë tema të thirrjes dhe tash janë tetë projekte që figurojnë në listën preliminare të publikuar nga Ministria e Kulturës. Siç vepron rëndom MKRS-ja, s’ka kurrfarë të dhënash publike se kush i ka vlerësuar projektet. E për shumëkënd krejt kjo është shpenzim i kotë i buxhetit të MAB-it dhe improvizim i skajshëm. Fiks 163 mijë e 690 euro ka qenë buxheti i përgjithshëm i MAB-it për sivjet. Me vendim të ekzekutivit, muajin e kaluar i janë marrë si “kursime” 92 mijë euro. Në këtë llogaritje i bie që krejt buxheti që ka pasur në dispozicion – pos pagave për gjashtë të punësuar – të shkojnë në hulumtime.

Për temën “Zhvillimi i artit bashkëkohor në Kosovë: praktikat, konteksti dhe sfidat deri në vitin 2000” janë përzgjedhur dy projekte. Dita Ethemit i janë aprovuar 6 mijë euro për projektin me titull pune sikurse vetë fusha në të cilën ka aplikuar. E Milot Gusisë i janë aprovuar 5 mijë euro për projektin me titull pune “Arti Bashkëkohor i Kosovës në publikimet periodike 1960-70”.

Pesë projekte janë aprovuar për monografi. Engjëll Berishës i janë aprovuar 14 mijë e 500 euro për të realizuar monografinë për artistin, Engjëll Berisha. Dardan Lutës i janë ndarë 7 mijë e 500 euro për të hulumtuar dhe për të bërë dokumentim arkivor për Daut Berishën. Por për hulumtimin për këtë artist është dhënë edhe një projekt. Merita Dragajt i janë ndarë po ashtu 7 mijë e 500 euro për monografinë “Jeta dhe krijimtaria artistike e Daut Berishës”. Filozofi e kritiku Shkëlzen Maliqi është zgjedhur për t’u financuar me 5 mijë euro për monografinë “Rëndësia artistike dhe politike e ekspozitës ‘Përtej’”. Bëhet fjalë për ekspozitën e artistëve shqiptarë në Beograd më 1997. Projekti i Rina Asanit, “Themelimi i Qendrës së Artit Bashkëkohor – Sfidat dhe Historiku” është përzgjedhur po ashtu për monografi. MAB-i ka vendosur t’ia ndajë 5 mijë euro.

E te tema “Historiku i ndërtesës dhe gazetës ‘Rilindja’ është zgjedhur projekti i Njomëza Mulhaxhës, me titull “Rilindja si hapësirë, institucion dhe kujtese kolektive”. Për temat “Historiku i krijimit të Muzeut të Artit Bashkëkohor në Kosovë” dhe “Historiku i gazetës ‘Rilindja’ si impakt social” të thirrjes së hapur në shtator nuk është përzgjedhur asnjë projekt, megjithëse një prej tyre sikur shkrinë dy temat që kanë për fokus “Rilindjen”.

Por kjo thirrje me këto tema, nuk shihet si mënyra më e mirë e nisjes së funksionimit të një institucioni të ri si Muzeu i Artit Bashkëkohor. Madje shihet si nismë improvizuese.

Profesori universitar, Adem Rusinovci, i cili edhe ka udhëhequr me Fakultetin e Arteve si dekan, ka thënë se hulumtimet e MAB-it do të kishin logjikë nëse do të gërmohej për krijimin e fondit të Muzeut. 

“Kjo është e turpshme kur Muzeu hap këso konkursesh. Ky është keqpërdorim total i buxhetit të shtetit tonë shumë të pasur që njëmend paska pasur shumë buxhet. Kjo nuk do koment, me të vërtetë është e gërditshme”, ka thënë ai. Sipas Rusinovcit, hapi i parë do të duhej të ishte hulumtimi për kronologjinë e zhvillimit të artit dhe ku është potenciali për krijimin e fondit të Muzeut.

“Hulumtimi do të duhej të niste në Pejë, ku ka nisur shkolla e artit. Për gjëra që ka botime e botime nuk bëhen më thirrje. Mandej si mund t’i bëhet Daut Berishës monografi me rreth 7 mijë euro. Kërkimet për trashëgiminë e tij përfshijnë kryesisht Parisin. Po zhgënjehem marramendësisht shumë me veprimet e këtij institucioni, pastaj me logjikën e perceptimet që paska ky institucion”, ka thënë Rusinovci. Sipas tij, thirrja e MAB-it është tejet e çuditshme.

“Kështu veprohet vetëm nëse u kanë mbetur paratë dhe duan të bëjnë dhurata për fundvit. Nuk e di si kanë guxim të bëjnë kështu”, ka thënë ai.

Një tjetër profesor universitar me goxha peshë në artin pamor në vend, s’ka dashur ta komentojë situatën shumë.  

“Kjo është sa me gjuajt hi syve. Nuk di çfarë të them tjetër”, ka thënë ai, duke mos dashur t’i bëhet publik emri. Kritika për konceptimin e kësaj thirrjeje kanë pasur edhe disa individë të tjerë në skenën e artit. Por siç ndodh rëndom kohëve të fundit, s’flasin publikisht për të mirëmbajtur raporte me institucione e udhëheqës të tyre.

Në fund të tetorit KOHA nëpërmjet një serie prej dy tekstesh ka raportuar për MAB-in si institucion jofunksional dhe në përpëlitje të futjes në funksion. Asokohe KOHA kishte kërkuar sqarime shtesë përtej thirrjes publike duke pyetur stafin e MAB-it se cili është qëllimi i një hulumtimi për “Historikun e krijimit të Muzeut të Artit Bashkëkohor në Kosovë”, kur ky institucion është në themelim e sipër dhe se historiku është i kufizuar prej Këshillit Iniciues e më pas dhe ende s’ka një muze të prekshëm.

“Sa i përket Monografisë mbi një artist bashkëkohor me ndikim në jetën kulturore të Kosovës, cili është synimi i MAB-it dhe mbi çfarë baze përzgjidhet se cili artist është më i rëndësishëm se tjetri me ndikimin e tij? Kur bëhet fjalë për historikun i ndërtesës së ‘Rilindjes’ – lokacionit të Muzeut të Artit Bashkëkohor e po ashtu për historikun e gazetës “Rilindja” si impakt social, a jeni në dijeni se hulumtime të tilla tashmë ekzistojnë? Çfarë e lidh MAB-in me impaktin e gazetës ‘Rilindja’?”, qenë pyetjet e tjera. Stafi s’kishte shkuar përtej sqarimeve të dhëna në thirrjen publike. S’e kishte elaboruar as arsyetimin me të cilin synohen këto hulumtime, pos pyetjes ku përmendet se tashmë ekzistojnë hulumtime për “Rilindjen”.

“Nga të gjitha temat e hulumtimit, ekziston mundësia të ketë hulumtime të përafërta, mirëpo ju ritheksojmë se jo rastësisht është kërkuar ‘fusha e fokusit’ dhe detaje të tjera brenda aplikacionit, gjë që tregon se çka konkretisht do të hulumtohet. Duke qenë dëshmitarë të një hendeku të thellë që ka krijuar mungesa e hulumtimeve dhe dokumentimeve (profesionale) në fushën e artit dhe kulturës, nuk duhet të përjashtojmë plotësimin e ndonjërit nga mozaikët e temave relevante të nisura tashmë. Ky është një mision që ua kemi borxh gjeneratave të ardhshme”, shkruhej në përgjigje.

Kosova zyrtarisht është bërë me Muze të Artit Bashkëkohor në janar të vitit 2024. Por edhe pas kësaj kohe, MAB-i mbetet institucion veç në letër. Numëron pesë veta në staf dhe ushtruesen e detyrës së drejtorit. Është miratuar Statuti i institucionit, është përzgjedhur logoja e MAB-i ka edhe vulë. S’ka seli, pasi stafi funksionon në ambientet e Ministrisë së Kulturës dhe shumica prej stafit, praktikisht, në bazë të përshkrimit të detyrave të punës s’kanë çfarë bëjnë, pasi institucioni është në tentim të funksionalitetit. Prej veprimeve fillestare qe paraparë vendimi për ndërtesën e muzeut. Target ishte që brenda vitit 2023 muzeut t’i ndahej lokacioni. Vendimi për hapësirë është marrë në gusht të vitit 2024. Ministria e Punëve të Brendshme ka aprovuar kërkesën e MKRS-së për shfrytëzim duke ndarë një pjesë të përdheses dhe një pjesë të katit të parë të ish-shtypshkronjës së “Rilindjes”.

Koncepti i themelimit të MAB-it, i prezantuar para dy vjetësh, parasheh krejt hapat që duheshin ndërmarrë. Realiteti dhe plani i paraparë në këtë dokument kanë hendeqe të mëdha mes vete.

Lexo edhe: