Arbëri

Raportet e inspektimeve – infrastruktura e pistës së Aeroportit, e rrezikshme dhe e pasigurt

Problemet me puseta dhe me shtrirjen e kabllove të ndriçimit në pistën e zgjatur të Aeroportit të Prishtinës janë denoncuar nga ekspertët brenda këtij institucioni e edhe nga Autoriteti i Aviacionit Civil (ACC). Me gjithë gjetjet, pista në të cilën janë investuar 33 milionë euro është lëshuar në përdorim në fund të vitit të kaluar me bekimin e AAC-së e të Ministrisë së Infrastrukturës. Defektet e identifikuara është thënë se janë evituar, por ACC-ja dhe Njësia për Mirëmbajtjen e Sistemit të Ndriçimit të Aeroportit (AGL) i kanë vlerësuar materialet e përdorura si të rrezikshme. Për pasojë, për shkak të denoncimit të vazhdueshëm të këtyre problemeve, ANP-ja fillimisht ia ka tërhequr vërejtjen e më pas e ka suspenduar nga puna shefin e AGL-së, Demë Elezajn

Kërcënuese për sigurinë e aeroplanëve e të udhëtarëve është vlerësuar nga ekspertët gjendja e infrastrukturës në pistën e Aeroportit të Prishtinës, punimet në zgjatjen e së cilës janë finalizuar në dhjetor të vitit 2021. Projekti, që krahas zgjatjes së pistës ka përfshirë edhe zgjerimin e kapacitetit të ndriçimit, ka nisur më 2018 dhe i ka kushtuar shtetit të Kosovës 33 milionë euro.

Problemet e identifikuara nga shefi i Njësisë për Mirëmbajtjen e Sistemit të Ndriçimit të Aeroportit (AGL), Demë Elezaj, u janë referuar punimeve në shtrirjen e kabllove të ndriçimit dhe vendosjes së pusetave. Vërejtjet nga eksperti u janë bërë të ditura autoriteteve të Aeroportit e edhe Qeverisë shumë kohë para se të bëhej finalizimi. Madje, një muaj pas lëshimit në punë, më 26 janar, defektet janë konstatuar edhe nga inspektimi i Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC).

Sipas raportit që ishte përgatitur pas inspektimit, AAC-ja ka gjetur se për shkak të punimeve të pakryera sipas standardeve, kabllo të shumta të rrymës kishin mbetur të zbuluara në pistë, ani pse mbi të kalonin pandërprerë aeroplanët.

Pas inspektimit të bërë nga ACC-ja, është thënë se tashmë janë sanuar problemet. Por KOHA është informuar se mbulimi i kabllove të rrymës në pistë është bërë me materialin “bitumen”, i cilësuar si material i rrezikshëm edhe nga ACC-ja e edhe nga shefi i AGL-së, Demë Elezaj.

Përgjegjësinë mbi sigurinë e pistës pas përfundimit të punimeve, drejtuesit e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës (ANO) ia kanë faturuar Ministrisë së Infrastrukturës, e cila, sipas tyre, ka kontraktuar inxhinier të pavarur për ekzaminimin e tyre.

Por në këtë “betejë” ka pësuar vetëm denoncuesi i problemeve në pistë, përkatësisht shefi i AGL-së, Demë Elezaj. Atij më 17 janar të këtij viti i është dhënë vërejtje me shkrim nga autoritetet e ANP-së, e më 1 shkurt edhe vendimi për suspendim nga puna.

Mbetjet e rrezikshme

Që nga fundi i vitit 2020 e deri në janar të këtij viti, pista, sipas raportit të Njësisë për Mirëmbajtjen e Sistemit të Ndriçimit të Aerodromit (AGL), ka pasur vazhdimisht probleme me futjen e kabllove në gypa e me mirëmbajtjen e dritave të pistës. Për gjendjen e punimeve, menaxhmenti i Aeroportit të Prishtinës ishte njoftuar disa herë nga shefi i kësaj njësie, Demë Elezaj. Problemet e prezantuara nga personeli i AGL-së, njësisë që menaxhohet nga ANP-ja, ishin instalimi joadekuat i bazave të dritave në disa pjesë të pistës, instalimi dhe lidhja joadekuate e kabllove të furnizimit primar nëpër gypa dhe puseta, instalimi dhe shtrirja joadekuate e kabllove sekondare në pistë dhe në rrugët e taksimit, si dhe pamundësia e mirëmbajtjes adekuate të dritave në pistë. Këto probleme janë përmendur vazhdimisht në raportet mujore të AGL-së dërguar menaxhmentit dhe në raportin përmbledhës të vitit 2021. Problemet e përmendura në raportin e AGL-së, e të cilin e disponon KOHA, janë akumuluar më herët, porse kanë filluar të shfaqen kur ka nisur implementimi i instalimit të sistemit të ndriçimit, si pjesë e projektit për zgjatjen e pistës.

“Për shkak të problemit me bazat e cekëta të dritave dhe pamundësisë për t’i shtrënguar bulonat, pajisjet e ndriçimit në vende të ndryshme në Pistë ishin pothuajse jashtë bazës”, kishte shkruar ndër të tjera Demaj në raport, derisa këtij përshkrimi ia kishte bashkëngjitur fotografitë. “Ekipi i AGL-së u përpoq të rregullonte pjesët e deformuara të bazave të cekëta të dritave, por nuk funksionoi. Ky ka qenë shqetësimi im serioz dhe arsyeja që e kam ngritur këtë çështje për t'u trajtuar duke pasur parasysh se ka ndikim të drejtpërdrejtë në siguri. Kjo situatë është raportuar rregullisht në raportet mujore si dhe në departamentin e sigurisë”, është thënë tutje në raportin me 15 faqe, të cilin Elezaj e kishte përgatitur vetë dhe ia kishte dërguar zyrtarit të lartë operativ të ANP-së, Gokmen Aritay.

Meqë vërejtjet e Elezajt ANP-ja nuk ia ka raportuar Autoritetit të Aviacionit Civil, këtë më pas personalisht e ka bërë vetë Elezaj. Kjo e ka detyruar AAC-në që të kryejë inspektimin e paparalajmëruar në Aeroport më 26 janar të këtij viti.

Pas inspektimit, AAC-ja ka konstatuar se gjendja në terren ka qenë ashtu siç ishte shpjeguar në raportin e dorëzuar nga shefi i Njësisë për Mirëmbajtjen e Sistemit të Ndriçimit të Aerodromit (AGL), Demë Elezaj. ACC-ja kishte konstatuar se gjatë inspektimit, në vijën qendrore të pistës, bazat e dritave kishin filluar të degradonin dhe të shkëputeshin nga asfalti. Mes të tjerash, në njërën prej këtyre dritave inspektorët e AAC-së kanë gjetur edhe një copë të madhe të shkëputur nga materiali mbushës që konsiderohet mbetje e rrezikshme, e cila, sipas Aviacionit, ka rrezikuar direkt aeroplanët gjatë ngritjes, aterrimit apo lëvizjes nëpër pistë dhe në rrugët e taksimit.

“Me sa kemi vërejtur, kabllot kanë dalë vazhdimisht mbi sipërfaqe jashtë kanaleve, që mund të jenë rrezik për shkak të tensionit elektrik”, thuhet në konstatimin e tyre.

Aviacioni Civil ka gjetur se gjatë instalimit të kabllove primare për sistemin e ndriçimit në fushën ajrore, kabllot janë futur në pusetat dhe gypat e vjetër që kanë qenë, kështu duke i mbushur totalisht gypat në kundërshtim me kriteret, pa lënë hapësirën e zbrazët prej 25 % sa kërkohet, në rast se bëhet ndonjë zgjerim tjetër i sistemit. Meqë nuk janë instaluar puseta të reja, sipas inspektimit të Aviacionit, ka pasur puseta të cilave kapaku u është mbyllur me vështirësi për shkak të ngarkesës së madhe. Sa u përket kabllove të cilat janë zbuluar nëpër pistën e Aeroportit, Aviacioni ka theksuar se gjendja në të cilën kanë qenë gjatë kohës që i kanë inspektuar mund të përbëjë rrezik permanent për personelin e mirëmbajtjes, si dhe për operimet e aeroplanëve.

“Kurse materialet izoluese të kanaleve që kanë dalë mbi sipërfaqe të pistës, veçanërisht mbushjet me bitumen, në vazhdimësi janë mbetje të rrezikshme dhe janë rrezik direkt për sigurinë e aeroplanëve”, thuhet tutje në raportin e auditimit të AAC-së.

Për rastin ku flitet për pamundësinë e mirëmbajtjes së dritave në pistë, meqë nuk është bërë zëvendësimi dhe riinstalimi adekuat i tyre, AAC-ja thekson se mbetja e bazës së dritave të pashtrënguara paraqet rrezik që ato të shkëputen komplet gjatë presionit të ushtruar nga aeroplanët në aterrim apo në nisje, çka sipas këtij autoriteti do të kishte pasoja të paparashikueshme.

Insistimi i Elezajt për evitimin e defekteve

Sipas disa emailave që ka siguruar KOHA, të cilët janë shkëmbyer mes menaxhmentit të Aeroportit dhe zyrtarëve të personelit të mirëmbajtjes, më 8 janar të vitit të kaluar, Demë Elezaj, shef i Njësisë për Mirëmbajtjen e Sistemit të Ndriçimit të Aeroportit, e kishte njoftuar menaxherin e përgjithshëm të operacioneve, Jerome D’Angelo, për gjendjen në pistë. Pretendimeve të tij se puna nuk po kryhet sipas standardeve ia kishte bashkëngjitur edhe disa fotografi, me të cilat e ilustronte situatën. Dhjetë ditë pasi kishte pranuar këtë njoftim me email, menaxheri i përgjithshëm, kishte lënë një takim me Elezajn në zyrën e tij për të diskutuar më afër lidhur me problemet e raportuara. Por, megjithëkëtë, nuk ishin marrë masa. Disa muaj më vonë, konkretisht më 22 qershor 2021, Elezaj i ishte drejtuar tashmë menaxheres së sigurisë, Nora Grapci, ku, mes të tjerash, me fotografi të bashkëngjitura e kishte njoftuar për situatën në pistë.

“Gjeni të bashkëngjitur një formë të raportit mujor dhe pamjet e dritave të shtrira, ku si pasojë e dëmtimeve të bazave të tyre, mungojnë bulonat te një pjesë e dritave të shtrira në pistë”, kishte shkruar Demaj në këtë email drejtuar Grapcit.

Më 12 korrik të po atij viti, pas një raportimi tjetër të Elezajt, Nora Grapci i kishte kërkuar atij që situatës të cilën ai e kishte paraqitur t’ia bashkëngjiste standardet se si duhej të bëhej mënyra e kabllimit. Këtyre kërkesave, Demë Elezaj ka thënë se u është përgjigjur gjashtë ditë më pas. Sipas emailave që ka në posedim KOHA, Elezaj ia kishte radhitur në pika standardet se si duhej të bëheshin infrastruktura dhe instalimi i kabllove dhe gypave, duke thënë se për pjesën e dritave të shtrira në pistë komentet ishin të tepërta.

“Sa i përket instalimit për kabllot sekondare për dritat e reja të shtrira dhe bazave të tyre, ato nuk duan koment, siç i keni parë edhe vetë”, i ishte përgjigjur Demaj Grapcit.

Elezaj nuk ishte ndalur së raportuari për gjendjen në pistë. Sipas dokumenteve të siguruara nga KOHA, më 31 dhjetor të vitit të kaluar, me një raport përmbledhës të cilin e kishte hartuar, Elezaj i ishte drejtuar zyrtarit të lartë operativ të ANP-së, Gokmen Aritay. Këtë raport ai e kishte përgatitur me qëllim që t’i sqaronte të gjitha çështjet që kishin të bënin me problemet të cilat ai i kishte raportuar disa herë tek menaxhmenti. Aty ai kishte ofruar sqarimet teknike dhe referencën e standardeve mbi të cilat do të duhej të kryheshin punimet. Më pas, më 7 janar të këtij viti, sipas këtij komunikimi nëpërmjet emailave, Grapci sërish ishte njoftuar nga personeli i AGL-së se pista po degradohej. Menaxhmentit i ishte përshkruar situata se disa kabllo elektrike ishin zbuluar në tërësi në disa sipërfaqe të pistës.

“Ju lutem gjeni të bashkëngjitura fotot e bëra sot gjatë inspektimit, në foto shihet se disa kabllo janë zbuluar në tërësi”, thuhej në emailin dërguar Grapcit nga AGL-ja.

Po atë ditë, menaxherja e sigurisë, Nora Grapci, i kishte shkruar Oktay Yilmaz-it, shef i Sistemeve Speciale të Automatizimit dhe Sistemeve Elektrike-Elektronike, nga i cili kishte kërkuar që sa më parë që të jetë e mundur, kabllot të mbuloheshin, ekipi i të cilit më 13 janar e kishte sanuar problemin me materialin e quajtur bitumen, (për të cilin AAC-ja në raport kishte thënë se është sanuar me material të rrezikshëm, i cili nuk ishte rekomanduar nga personeli i AGL-së). Njëjtë me këtë material, sipas burimeve të KOHËS, është sanuar problemi edhe pas inspektimit të Aviacionit.

Suspendimi i denoncuesit të problemeve

Me arsyetimin se nuk janë respektuar politikat e kompanisë, veçanërisht politikat disiplinore, më 17 janar Demë Elezajt i ishte lëshuar një vërejtje me shkrim nga zyrtari i lartë operativ, Gokmen Aritay. Në dokumentin që e posedon KOHA, menaxhmenti i ANP-së kishte vlerësuar se Elezaj, pavarësisht instruksioneve direkte që kishte marrë, sërish kishte vendosur krye më vete për realizimin e projektit në datat 3-4 nëntor 2021, gjatë zgjatjes së pistës nga 2200 në 3040 metra. Ai gjithashtu kishte marrë vërejtje se pse i kishte raportuar drejtpërdrejt kontraktuesit.

“Raporti i z. Elezajt i është adresuar direkt kontraktorit, edhe pse z.Elezaj nuk ka autorizim t’ua adresojë komentet e tij palëve të treta”, thuhet ndër të tjera në vërejtjen me shkrim.

Nëse do të vazhdonte të vepronte njëjtë, ai ishte paralajmëruar se do të ndërmerreshin edhe masa të tjera disiplinore.

Këtij paralajmërimi i ishte kundërpërgjigjur Elezaj. Ai ishte shprehur i tronditur sesi, pavarësisht përpjekjeve për ta ruajtur nivelin e sigurisë, si rezultat kishte marrë vërejtje nga menaxhmenti për mosrespektim të politikave të kompanisë.

“Pas analizimit të letrës suaj, jam i detyruar të refuzoj të gjitha pretendimet e ngritura. Qëllimi i raportit të datës 31.12.2021 ishte që të mos fajësohej askush. Synohej vetëm ngritja e nevojës së vëmendjes për të përmirësuar sigurinë, duke plotësuar të gjitha detajet teknike të kërkuara sipas standardeve dhe praktikave më të mira të aviacionit, ku unë i kam përshkruar të gjitha saktësisht me numra reference të standardeve dhe klauzolave”, kishte thënë Demaj në letrën e tij.

Vërejtjen e marrë ai e kishte konsideruar si presion direkt ndaj tij dhe ekipit të tij dhe si shkelje direkte e politikave të sigurisë së kompanisë dhe sistemit të menaxhimit të sigurisë.

“Ta keni të qartë që letrat e tilla apo çfarëdolloj presioni nuk do të më ndalin mua të vazhdoj me nivelin tim të profesionalizimit, veçanërisht kur ka të bëjë me sigurinë publike. Përkundrazi, unë jam i detyruar me ligj, siç jeni edhe ju, të raportoj dhe të marr masa për cilëndo gjendje ose situatë që mund të rrezikojë sigurinë publike ose ndonjë dëm pronësor”, u ishte përgjigjur Demaj, në letrën e tij të cilën e posedon KOHA.

Meqë Demaj po vazhdonte të mos merrte përgjigje konkrete për raportimet e tij, ai e kishte njoftuar Aviacionin Civil, i cili më pas kishte kryer inspektimin më 26 janar. Por, pas vërejtjeve që kanë dalë nga Aviacioni, menaxhmenti i Aeroportit disa ditë më pas, konkretisht më 1 shkurt, e ka suspenduar nga puna Demë Elezajn. Por, arsyet për suspendim tashmë ishin të tjera nga ato që ia kishin radhitur në vërejtjen me shkrim.

“Për sa i përket suspendimit të përkohshëm nga puna, të punonjësit tonë, dëshirojmë t’ju njoftojmë se kjo ka ndodhur për shkak të shkeljes së dispozitave të kontratës së punës nga ana e tij”, kanë thënë nga Aeroporti në përgjigjen për KOHËN.

Në arsyetimin për suspendim, i nënshkruar nga kryeshefi ekzekutiv i Aeroportit, Haldun Firat, thuhet se Demë Elezaj është suspenduar nga puna pasi ka shkelur kontratën, meqë në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, Demaj ka të regjistruar një biznes në emër të tij. Por këtë biznes Demë Elezaj e ka të regjistruar në ARBK që nga viti 2015, kohë në të cilën ka qenë i angazhuar në Aeroport.

ACC-ja licencon punimet me rekomandime, Ministria përgjegjëse për ekzaminim

Ndonëse këto gjetje të Aviacionit në janar të këtij viti flasin për një situatë të rrezikshme në pistë, në dhjetor të vitit 2021 vetë ky autoritet në një përgjigje për KOHËN e ka pranuar se i kishte licencuar punimet.

“Në pajtim me nenin 61 të Ligjit nr. 03/L-051 për Aviacionin Civil, Rregulloren nr. 17/2017 për dispozitat dhe procedurat administrative në lidhje me aerodromet (Rregullorja (BE) Nr. 139/2014), me ndryshime dhe plotësime, Autoriteti i Aviacionit Civil i Republikës së Kosovës, në dhjetor të vitit 2021 ka certifikuar aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’", është thënë në përgjigje.

AAC-ja në janar e kishte obliguar menaxhmentin e Aeroportit që t’i ndërmarrë disa veprime që çojnë në korrigjim të situatës. Por, për gjendjen të cilën vetë e kishte konstatuar si të rrezikshme e me pasoja të paparashikueshme, Autoriteti nuk ka treguar nëse ka marrë masa ndaj menaxhmentit, i cili sipas disa e-mailave që i ka KOHA e kishte shpërfillur gjendjen.

“AAC-ja është ende në proces të hetimeve, sipas procedurave në fuqi, lidhur me të gjitha çështjet e identifikuara”, kanë thënë nga Autoriteti i Aviacionit. Ata nuk janë përgjigjur as se nga kush është dashur të njoftoheshin për situatën në pistë.

E nga Aeroporti i Prishtinës, pavarësisht se kanë pranuar shumë pyetje specifike rreth ekzekutimit të punimeve në kuadër të projektit për zgjerimin e pistës, ata kanë dhënë përgjigje të shkurtër.

“Ju njoftojmë se projekti i zgjatjes së pistës ekzaminohet nga inxhinieri i pavarur, i kontraktuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Më tej, ju njoftojmë se ky projekt tashmë është inspektuar dhe licencuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, me disa rekomandime të cilat jemi në proces të realizimit”, kanë thënë nga Aeroporti.

Për disa ditë më radhë KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Infrastrukturës si përgjegjëse e financuese e projektit, por ajo nuk ka kthyer përgjigje. Vetë ministri Liburn Aliu, në fjalën e tij gjatë ceremonisë së finalizimit të këtij projekti, mes të tjerash, kishte thënë se me punimet që janë bërë është evituar rreziku.

“Përpos që nuk do të kemi anulim të fluturimeve për shkak të mjegullës, ka një rëndësi edhe për çështje të sigurisë, pasi që pista me të gjitha pajisjet moderne të instaluara siguron kushte të mira, në mënyrë që edhe të evitojë çdo lloj rreziku që mund të ketë në terren”, kishte thënë Aliu më 21 dhjetor 2021.

për zgjerimin e pistës kanë nisur në vitin 2018, kur ministër i Infrastrukturës ishte Pal Lekaj. Ato ishin parashikuar që të zgjasnin tre vjet. Pagesa ishte paraparë të bëhej nga një pjesë për secilin vit. Kësisoj, më 2018 do të paguheshin 2.2 milionë, më 2019, 10 milionë dhe më 2020, 20 milionë euro. Ministri Aliu ka thënë se në total janë dhënë 33 milionë euro.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës menaxhohet nga konsorciumi turko-francez “Limak Holding-Aeroport de Lyon”. ANP-ja ka kaluar në menaxhimin e këtyre dy kompanive më 2010, pas një marrëveshjeje të partneritetit publiko-privat me Qeverinë e Kosovës. Kontrata e koncesionimit zgjat 20 vjet.