Arbëri

Emisarëve u kërkohet që dialogu të përfundojë me njohje reciproke

Liderë të opozitës në Kosovë janë takuar me Gabriel Escobarin dhe Miroslav Lajçakun në ditën e dytë të qëndrimit të tyre në Prishtinë. Takimet u mbajtën në Ambasadën amerikane, e pas tyre liderët e subjekteve politike deklaruan se mbështesin dialogun Kosovë-Serbi, në mënyrë që bisedimet në kuadër të tij të rezultojnë me marrëveshje gjithëpërfshirëse, dhe e cila duhet të sigurojë njohjen reciproke

Krerët e partive opozitare në Kosovë kanë kërkuar që dialogu të përfundojë me njohje reciproke, në takimet që të martën i kanë pasur me përfaqësuesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, dhe me atë të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e Ramush Haradinaj i AAK-së, u pritën në Ambasadën amerikane nga emisarët Escobar dhe Lajçak. Pas takimeve, në llogaritë e tyre në rrjetet sociale të tre kanë shprehur mbështetjen për dialogun, me kushtin që ai të përmbyllet me njohje reciproke.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se në takim është diskutuar edhe për rolin e partisë që drejton, në zhvillimet politike.

“PDK-ja mbështet dialogun si mekanizëm për arritjen e marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron njohjen e ndërsjellë, pa cenuar sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe rendin kushtetues”, ka shkruar Krasniqi.

Pas tij, emisarët pritën edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Në njoftimin e LDK-së është thënë se Abdixhiku ka njoftuar Escobarin dhe Lajçakun për qëndrimet e partisë që drejton lidhur me situatën politike, e me theks të veçantë për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “(Dialogu) duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë dhe me normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Kosovës”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

E njohja nga Serbia në kufijtë ekzistues, sipas kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, mund të arrihet vetëm me përfshirjen e SHBA-së në dialog.

“Kam ripërsëritur përkushtimin tonë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke në kufijtë ekzistues dhe respekton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, gjë që mund të arrihet vetëm me rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Përfaqësuesi i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe ai i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ndodhen në ditën e dytë në Prishtinë. Në ditën e parë janë takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin Albin Kurti.

Këtë vizitë të dyshes Escobar-Lajçak, ish-kryenegociatorja e bisedimeve, Edita Tahiri, ka thënë se Qeveria duhet ta shfrytëzojë për të bërë një kërkesë karshi BE-së.

“Mendoj se Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë nga BE-ja të deklarohet se angazhohet për njohje reciproke në dialog, duke konfirmuar kështu që janë në linjë të njëjtë me SHBA-në”, ka shkruar Tahiri. Është koha dhe i takon BE-së si ndërmjetëse e dialogut të qartësojë qëndrimin e vet, duke konfirmuar qëndrimet e përbashkëta me amerikanët, që i jep kuptimin kësaj vizite të përbashkët. Andaj, jam e bindur se ka ardhur koha që BE-ja të flasë me një gjuhë të qartë dhe të shmanget nga praktikat e mëhershme të komunikimit ambivalent, sepse kjo do të ndihmonte që ky dialog të dalë nga kjo gjendje apatie ku ndodhet tash sa vite”.

Pas takimeve që një ditë më parë kishin me krerët e institucioneve, presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, emisari i BE-së, Lajçak, dhe ai i SHBA-së, Escobar, thanë se ndajnë të njëjtin qëndrim lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se në fund të vizitës treditore shpresojnë të kenë një pasqyrë më të qartë se cila është rruga që do të ndiqet. Vizita e të dy emisarëve do të përmbyllet të mërkurën me një konferencë për media.

Pas Kosovës, Escobar dhe Lajçak do të udhëtojnë për në Serbi, ku do të qëndrojnë dy ditë.