Arbëri

Lajçaku takohet me Bislimin në Vjenë, diskutojnë për dialogun

Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar të martën për një takim me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi. Të dy janë takuar në Vjenë, ndërsa Lajçaku ka thënë se kanë diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi.

“I kënaqur për një takim konkret dhe konstruktiv për mënyrën se si të ecet përpara me dialogun për normalizim të raporteve, me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, sot në Vjenë. Pres të vazhdojmë diskutimet javën e ardhshme në Kosovë”, ka thënë ai në Twitter.

Kosova e Serbia qe disa muaj s’kanë pasur takime në kuadër të dialogut. Të martën, Bashkimi Evropian e konsideroi Kosovën palë më pak të gatshme për dialog.

Javën e ardhshme në Kosovë do të vijnë Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, përfaqësues amerikan për Ballkan.