Arbëri

Afro 200 mijë familje preken nga tarifat e reja, opozita akuzon Qeverinë

Rreth 31 për qind e konsumatorëve do të preken nga tarifat e reja të energjisë, të propozuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Partitë opozitare kanë kritikuar paralajmërimet për shtrenjtim të energjisë elektrike. Në konferenca të ndara, PDK-ja dhe LDK-ja kanë akuzuar Qeverinë Kurti për paaftësi dhe mosveprim për, siç kanë thënë, mosshmangie të rritjes së çmimit të energjisë

Afro 200 mijë familje do të preken nga rritja e çmimit të energjisë të propozuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Këta konsumatorë konsumojnë mbi 600 kilovatë energji brenda muajit.

Tarifat e reja pas konsultimeve publike pritet që të hyjnë në fuqi nga 1 shkurti i këtij viti deri më 31 mars 2023.

Lidhur me këtë kanë reaguar dy partitë opozitare. PDK-ja dhe LDK-ja kanë fajësuar Qeverinë për paralajmërimet për shtrenjtim të energjisë elektrike. Në konferenca të ndara, ato kanë thënë se Qeveria po instalon pabarazi dhe diskriminim.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci, ka thënë se kjo rritje do të rëndojë edhe më shumë mirëqenien e qytetarëve në kohën kur ka rritje të çmimeve të produkteve ushqimore.

“Paralajmërimet tona të shumta ndaj Qeverisë për të ndërmarrë hapa adekuatë për zgjidhjen e problemeve me kohë, në mënyrë që edhe të ketë furnizim të sigurt me energji, edhe të mos ketë ngritje të çmimeve, sot janë bërë realitet dhe masat e propozuara nuk përkojnë aspak me gjendjen ekonomike të familjeve kosovare”, ka thënë Stavileci.

Sipas tij, propozimi për rritjen e tarifave pas një periudhe të rëndë ekonomike si pasojë e pandemisë është njëra nga goditjet më të ashpra që po u bëhet qytetarëve të Kosovës.

“Kjo rritje do ta rëndojë mirëqenien sociale të qytetarëve, në kohën kur edhe ashtu të gjitha çmimet e produkteve primare të konsumit janë rritur dhe kjo rritje do të vazhdojë me efekte edhe më të mëdha. Për më keq, kjo rritje mund të adresojë nevoja për koston e sistemit për periudha para nesh. Sot rrjeti ynë i transmisionit, KOSTT si shtylla kryesore e sigurisë së furnizimit, është para kolapsit financiar”, ka thënë Stavileci.

Sipas tij, është absurde që kjo rritje nuk po ndodh si rezultat i investimeve për sigurinë në furnizim me energji elektrike.

Edhe LDK-ja e ka kritikuar Qeverinë Kurti duke thënë se “paaftësia e saj dhe mosveprimi po shtrenjton faturat e energjisë elektrike për 42 për qind”.

Anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Besian Mustafa, ka thënë se “mungesa e përgjegjësisë dhe profesionalizimit të Qeverisë do të vështirësojë jetën e qytetarëve”.

Ai ka shtuar se pavarësisht “tentimeve për të manipuluar”, çmimet e rrymës do të rriten drastikisht.

Sipas Mustafës, Qeveria ka qenë e njoftuar qysh në pranverën e vitit të kaluar për rritjen e çmimeve të energjisë, si dhe hapat që duhet të merren.

Ai ka thënë se mosveprimet e Qeverisë e detyrojnë ZRRE-në t’i rrisë çmimet e energjisë.

“Qeveria zgjodhi populizmin e linçimin në kohë zgjedhjesh lokale për të fituar ndonjë votë. Paaftësia e Qeverisë për të menaxhuar me furnizimin me energji elektrike i ka kushtuar 20 milionë euro të ndara për KOSTT-in, 20 milionë euro për importin e energjisë dhe 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, si ka thënë ai, shtrenjtimi i energjisë elektrike e dëmton edhe prodhimin vendor.

Sipas tij, prodhuesit do t’u duhej t’i rrisnin edhe çmimet për shkak të kostos së lartë të prodhimit.

“Fjalët boshe të Qeverisë për rritje ekonomike që po e rëndojnë kanë zero kuptim për prodhuesit vendorë që po falimentojnë çdo ditë dhe qytetarët që mezi po arrijnë t’i ushqejnë familjet e tyre. Nuk duket që kjo qeveri ka një zgjidhje afatgjate për zgjidhjen e kësaj krizë”, ka thënë ai.

Ka kritikuar Ekzekutivin edhe për mjetet e shpenzuara në energji elektrike pa investuar në rritje të kapaciteteve prodhuese.

ZRRE-ja ditë më parë ka propozuar rikthimin e blloktarifave në faturat e qytetarëve.

Ndërkohë nga Qeveria kanë bërë të ditur se zotimi i tyre për subvencionim të 75 milionë eurove për të ndikuar në zbutjen e krizës ka mundësuar që konsumatorët që shpenzojnë më pak se 600 kilovatë të mos kenë rritje të çmimit.

Subvencionimi sipas Qeverisë zbut edhe tarifat për konsumin mbi 600 kilovatë.

Në njoftimin e saj thuhet se raporti i ZRRE-së ka ardhur si rrjedhojë e tremujorit të fundit të vitit 2021, kur Kosova është dashur të importonte energji elektrike për të furnizuar konsumatorët me energji elektrike mbi nivelin që mund të sigurohet nga kapaciteti gjeneruese vendore dhe për të plotësuar rritjen e kërkesës si pasojë e motit të ftohtë. Kostoja e furnizimit me energji elektrike nga importet është ngritur ndjeshëm duke ndikuar edhe në koston e energjisë.

“ZRRE-ja ka propozuar rivendosjen e blloktarifës deri në 600 KWh për konsumatorët e amvisërisë, si dhe që tarifat e energjisë elektrike të ngrihen për 9% për të gjithë konsumatorët komercialë dhe konsumatorët e amvisërisë që konsumojnë deri në 600 Kwh, ndërsa tarifat për konsumin e amvisërisë mbi 600 KWh do të reflektonin çmimin e importit”, thuhet në njoftimin e saj.

Aty thuhet se duke marrë parasysh situatën e jashtëzakonshme dhe të paprecedentë në tregjet evropiane të energjisë elektrike që ka ndikuar edhe Kosovën, Qeveria e Republikës së Kosovës me kërkesë të Ministrisë së Ekonomisë është zotuar të subvencionojë qytetarët e bizneset e Kosovës duke i mbrojtur kështu nga rritja e tarifave.

“Subvencionet paraqesin të ardhura për sektorin që nuk është e nevojshme të mbulohen nga tarifat e energjisë elektrike dhe, rrjedhimisht, zbusin rritjen e tarifës së energjisë elektrike”, thuhet në njoftim.

Sipas saj, subvencioni i energjisë elektrike nga ana e Qeverisë do të ndikojë që tarifa për konsumatorët biznesorë mbetet me 0 për qind rritje, tarifa për konsumatorët shtëpiakë deri në konsumin prej 600 kWh mbetet me 0 për qind rritje, ndërsa tarifa e propozuar nga ZRrE për konsumatorët shtëpiakë për konsumin mbi 600 kWh të reduktohet, duke pasqyruar çmimin e importit për këta konsumatorë dhe duke promovuar efiçiencën e energjisë.

Gjatë kësaj kohe të jashtëzakonshme, sipas Qeverisë, qëllimi primar i subvencionit është për të mbrojtur veçanërisht konsumatorët e ndjeshëm nga ndikimi i çmimeve më të larta të energjisë elektrike.