LAJMET E MBRËMJES

Pushtet e opozitë kërkojnë ulje të çmimit të tarifave të energjisë për vitin 2024

Pushtet e opozitë kërkojnë ulje të çmimit të tarifave të energjisë për vitin 2024. Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se duhet të shikohet mundësia e uljes së çmimit të tarifave të energjisë, meqë është arritur të përmbushet hendeku financiar në këtë sektor, i krijuar si pasojë e krizës energjetike. E në opozitë thanë se çmimi i rrymës nuk ka arsye që të rritet

Kur ka mbetur më shumë se një muaj që të caktohet çmimi i tarifave të energjisë për vitin 2024, në pushtet e në opozitë kërkojnë ulje të tyre.

Deputeti nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Driton Hyseni, konsideron se Zyra e Rregullatorit të Energjisë, duhet të shikojë për ulje të tarifave, meqë është arritur të përmbushet hendeku financiar në këtë sektor, i krijuar si pasojë e krizës energjetike.

“Duke marrë për bazë një ulje të mirë të çmimit të energjisë elektrike nëpër bursat ndërkombëtare, duke marrë për bazë performancën e mirë të KEK-ut, sa i takon gjenerimit të energjisë elektrike në vend, konsideroj se në asnjë rast, skenar nuk do të kemi rritje të çmimit të energjisë elektrike në prill, mirëpo ZRrE-ja, konsideroj që është e nevojshme ta rishikoj edhe uljen”, ka thënë Hyseni.

Ngritja e çmimit të energjisë, sipas deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, është në kundërshtim me gjendjen aktuale ekonomike.

“Çdo orvatje tjetër në çfarëdo forme ligjore apo joligjore për ngritjen e çmimit të energjisë, bie në kundërshtim me gjitha parimet e ekonomisë së tregut, të gjitha parimet e gjendjes reale ekonomike të vendit tonë... Nuk do të dëshiroja të mendoja që qeveria në çdo vit të ngrit çmimin e energjisë, edhe ashtu për dy vjetët e fundit qeveria ka ngritur çmimin e energjisë mbi 120 për qind”, ka deklaruar Shala.

Se çmimi i rrymës nuk ka arsye që të rritet, e thotë edhe deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Valentina Rexhepi-Bunjaku.

“Realisht duhet të mendohet me kokë ftohtë edhe ZRrE, sepse qytetarëve u është bërë jeta e papërballueshme. Në qoftë se duhet patjetër të ketë ngritje të tarifave për energji elektrike duhet të ketë edhe ngritje të pagave në Kosovë, dhe thjesht të zbutet papunësia”, ka theksuar Rexhepi-Bunjaku.

Në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë thanë se ende nuk i kanë informatat rreth çmimeve të tarifave.

KOHA ka raportuar më herët se çmimi i tarifave të energjisë për vitin 2024 nuk pritet të ketë lëvizje të mëdha.
Më 2023, çmimi në bursa ishte më i ulët sesa ka parashikuar Zyra e Rregullatorit të Energjisë kur mori vendimin për rritje të çmimit të tarifave.

Vendimi nga ZRRE-ja pritet të merret gjatë muajit mars, e të hyjë në fuqi më 1 prill.