Arbëri

Shkeljet e partive që s’ka kush t’i hetojë

Parregullsi të shumta në raportet financiare të partive politike, pa përjashtim, shpërfaqin raportet e rralla të auditorit. Subjekti që udhëheq me qeverinë, LVV-ja, nuk ka ofruar dokumentet mbështetëse për mbi 60 mijë eurot e shpenzuara në karburante gjatë vitit 2019 e 2020. PDK-ja e AAK-ja kanë realizuar blerje duke anashkaluar procedurat e tenderimit. Kurse LDK-ja shfrytëzon objektin për zyrë pa dokumente të pronësisë dhe pa marrëveshje të qirasë. Po LDK-ja, në kundërshtim me ligjin ka hapur më shumë se një llogari bankare. E Lista Serbe ka shpërndarë mijëra euro për OJQ joaktive

 

Shkeljet e shumta të konstatuara ndër vite në pasqyrat financiare të partive politike mbesin të paadresuara. Subjektet i mbajnë të fshehura shpenzimet dhe burimet e tyre të financimit. Sipas raporteve të auditorit, asnjëra parti nuk ka arritur t’i mbështesë me dokumente pasqyrat financiare ashtu siç e kërkon ligji.

Si pasojë e dështimit të Kuvendit, për tre vjet rresht ka munguar auditimi i raporteve financiare të partive politike. Tek në verën e vitit 2021 ishte përzgjedhur kompania për auditimin e raporteve për tri vitet paraprake. Më 1 mars të çdo viti, KQZ-ja pranon raportet vjetore financiare të subjekteve politike. Këto raporte auditohen nga auditori i pavarur. Parregullsitë janë hasur te secila parti që ka qenë subjekt i auditimit.

VV-ja, shpenzime pa mbështetje në emër të djegies së karburanteve

Subjekti që udhëheq me qeverinë nuk mirëmban dokumentet mbështetëse për shpenzimin e karburanteve. Kjo ka pamundësuar përcaktimin nëse shpenzimi i deklaruar është realizuar për qëllimin e caktuar. Fjala është për shumën e vitit 2020 në vlerë prej 32 mijë e 957 eurosh. Kurse për llogari të zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2019, ky subjekt ka djegur në karburante 46 mijë euro, të cilat nuk i ka mbështetur me dëshmi.

Në Vetëvendosje kanë arsyetuar mungesën e tyre.

“Këto shpenzime janë realizuar në Qendrat (Degët) e Lëvizjes për realizimin e aktiviteteve të tyre dhe punës në terren. Totali i tyre përfshin gjithë vitin 2020. Ne kemi mbajtur dokumentet siç janë urdhërblerjet dhe faturat, mirëpo e kemi pasur të pamundur të mbajmë edhe librat e regjistrimit të kilometrave, pasi në mungesë të veturave zyrtare në Qendra, për aktivitete kemi përdorur veturat private të aktivistëve. Ndërkohë, në seli janë mbajtur të gjitha dokumentet përcjellëse”, ka thënë Arlind Manxhuka nga zyra për informim e VV-së.

Auditori po ashtu ka tërhequr vërejtjen për transaksionet e realizuara me para të gatshme nga ana e qendrave të Vetëvendosjes, të cilat nuk janë specifikuar dhe regjistruar në arkën e tyre.

“Për shkak se Ligji për Financimin e Partive Politike nuk lejon që subjektet politike të kenë më shumë se një llogari bankare, kemi qenë të detyruar që Qendrave t’ua lëshojmë buxhetin me para të gatshme, pra ne kemi bërë tërheqje në bankë, ndërsa Qendrat kanë bërë tërheqje në Arkë të Selisë. Arsye për transaksionet me para të gatshme është aktiviteti i madh dhe i vazhdueshëm që kanë Qendrat dhe Pikat e Lëvizjes gjatë gjithë vitit, qoftë ose jo vit zgjedhor. Përndryshe, të gjitha aktivitetet e Qendrave, përfshirë Pikat, regjistrohen në raportet mujore të aktiviteteve dhe të shpenzimeve nga Qendrat”, ka theksuar Manxhuka.

Mbi 862 mijë euro është shuma që ky subjekt ka shpenzuar në vitin 2020, derisa në vitin 2019 mbi një milion.

PDK-ja anashkalon procedurat e tenderimit, LDK-ja dy llogari bankare e pa dokumente të pronësisë

Shkeljet që i atribuohen subjektit më të madh opozitar kanë të bëjnë me anashkalimin e procedurave të tenderimit në blerjet e kryera. Po ashtu ka munguar një kontroll i brendshëm, edhe pse kjo është e definuar me statut të partisë. PDK-ja nuk ka respektuar as kërkesat ligjore në lidhje me publikimin e raporteve financiare vjetër dhe të fushatës. Totali i shpenzimeve të PDK-së për vitin 2020 ka qenë 682 mijë e 520 euro. Në PDK nuk kanë ofruar sqarime përkitazi me gjetjet.

Parregullsi të shumta janë hasur edhe në financat e Lidhjes Demokratike.

Ky subjekt shfrytëzon objektin për zyrë pa dokumente të pronësisë dhe pa marrëveshje të qirasë. Në kundërshtim me ligjin, kjo parti ka hapur më shumë se një llogari bankare. Për më tepër, nuk janë prezantuar transaksionet e realizuara përmes llogarisë së dytë. Po ashtu, mungojnë edhe procedurat e tenderimit në blerjet e kryera. Ky subjekt nuk ka ofruar sqarime në lidhje me parregullsitë e konstatuara. Së fundi, LDK-ja bëri edhe një shkelje tjetër. Fasadoi ilegalisht selinë, megjithëse hyn në mesin e objekteve të kryeqytetit që janë në mbrojtje të përkohshme nga shteti.

Devijime me financa ka edhe në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Ky subjekt nuk ka aplikuar ndonjë procedurë të tenderimit në blerjet e kryera, e cila do të mundësonte një shfrytëzim më efikas të fondeve të subjektit. Edhe pse është e definuar me statut te partisë mundësia e ushtrimit të kontrollit të brendshëm financiar dhe e drejta e anëtarëve për t’u informuar për të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e subjekteve politike, kjo nuk ka ndodhur.

Lista Serbe nuk paguan tatim, ndan para për OJQ joaktive

Për subjektin e vetëm që përfaqëson serbët në institucione mungon një opinion i auditorit, për shkak të pamundësisë që të sigurohen evidencat e nevojshme. Shënimet e prezantuara nuk mbështeten me dëshmi relevante. Gjatë auditimit është konstatuar që për shpenzimet e raportuara në vlerë 150 mijë euro nuk ka dokumentacion mbështetës. Po ashtu, Lista Serbe ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me tri OJQ të ndryshme që nuk figurojnë aktive në ushtrimin e veprimtarive të tyre. Për dy prej tyre ka paguar 145 mijë euro e për njërën 35 mijë euro. Ka realizuar edhe transaksione me subjekte të cilat figurojnë si tatimpagues jo aktiv në ATK. Vlera e tyre është 13 mijë e 685 euro. Nuk ka paguar as tatimin në qira.

“KOHA” ka kontaktuar edhe përfaqësuesit e kompanisë “Audit&Conto” që kanë realizuar auditimin. Kanë thënë se nuk kanë çfarë të shtojnë përtej atyre që janë konstatuar në raport.

“Ato që kemi gjetur i kemi përshkruar. Presione s’ka pasur prej tyre. Sa i përket posedimit të një e shumë llogarive bankare, në draftin fillestar ua kemi dërguar raportin. As ata vetë nuk e kanë ditë se i kanë dy llogari. S’kanë dalë mirë, por s’kanë pasur ndonjë reagim”, thuhet në përgjigjen e auditorit.

Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se mungesa e transparencës dhe llogaridhënies së partive politike janë probleme i kamotshme.

“Herë pas here edhe mungesa e auditimit të raporteve vjetore financiare të partive e ka rritur edhe më shumë këtë jotransparencë dhe jollogaridhënie. Është problem i madh se nga viti 2017 deri në vitin 2020, pra për tri vite radhazi nuk është bërë fare auditimi i raporteve financiare të partive politike. Kjo vjen si dështim i Kuvendit të Kosovës, rrjedhimisht Komisionit për mbikëqyrjen e financave publike për zgjedhjen e auditorit. Po ashtu, problematike është shuma e vogël që ndahet për auditimin e raporteve financiare”, ka thënë Agusholli.

“Fatmirësisht në gjithë këtë ecuri, në verën e vitit 2021 nga Komisioni për mbikëqyrjen e financave publike është zgjedhur auditori për auditimin e raporteve financiare për tre vjet radhazi. Por, fatkeqësisht rezultatet e auditorit për raportet financiare të partive për vitet 2018, 2019, 2020 shpërfaqin shumë parregullsi në raportet financiare të këtyre partive pa përjashtim. Mund të themi se auditori ka mohuar opinionin për disa subjekte për tre vjet radhazi”.

Në terma financiarë, mohimi i opinionit do të thotë se auditori nuk ka gjetur evidencë të mjaftueshme në raportet financiare të partive politike për t’i audituar ato.

“Për shembull, në vitin 2020 nga 18 raporte sa janë dorëzuar në total, 9 prej tyre u është mohuar opinioni, ndërsa në vitin 2019 është edhe më negative. Nga 22 raporte 12 prej tyre u është mohuar opinioni. Problemet kryesore janë mungesa e procedurave të tenderimit të cilat do të mundësonin shfrytëzim më efikas të fondeve publike. Po ashtu partitë nuk e përdorin të drejtën e kontrollit financiar edhe gjithmonë e kanë të shkruar në statut. Ka edhe shumë parregullsi në raportimin e shpenzimeve të ndryshme që janë bërë nga partitë si në fushata po ashtu edhe në shpenzimet vjetore të partive”, ka theksuar Agusholli.

Që nga viti 2017, kanë rezultuar të dështuara përpjekjet për miratimin e ligjit që do ta forconte kontrollin e financave të partive. Projektligji ka miratuar edhe qeveria aktuale, por që ende nuk ka hyrë në procedurë të miratimit në Kuvend.

Me anë të këtij projektligji, kompetenca e zgjedhjes së auditorit kalon nga Komisioni për mbikëqyrjen e financave publike te zyra për certifikim dhe regjistrim të partive në KQZ-së. Rrjedhimisht, kësaj zyre i shtohet edhe kompetenca e kontrollit financiar të partive politike.