Arbëri

Akuza ndaj ndërmarrjes “Pastrimi” e Komunës së Drenasit për keqmenaxhim me mbeturina

Iniciativa “Green për Drenasin” ka drejtuar akuza për keqmenaxhim me mbeturina, mbushje të stacionit transferues me to dhe mospërmbushje të obligimeve që parashohin mbledhjen e tyre për çdo javë në adresë të kompanisë “Pastrimi” dhe të Komunës së Drenasit. Derisa nga Komuna kanë thënë se do ta gjobisin kompaninë po që se ajo nuk i përmbush obligimet, kompania “Pastrimi” ka përmendur borxhet e konsumatorëve dhe është zotuar se problemet do të evitohen

Problemet me mbeturina në Drenas janë bërë shkak, të enjten, për zhvillimin e një aksioni simbolik, gjatë të cilit përfaqësues të iniciativës “Green për Drenasin” kanë shpërndarë thasë me mbeturina para objektit të ndërmarrjes “Pastrimi” në këtë komunë.

Organizatorët e aksionit kanë adresuar me këtë rast edhe akuza për keqmenaxhim me mbeturina.

Xhavit Drenori, kryetar i iniciativës “Green për Drenasin”, i cili e organizoi këtë nismë, ka thënë se ka degradim të gjendjes me mbeturina në këtë komunë, teksa është ankuar se kontrata e kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi”, ku parashihet mbledhja e tyre një herë në javë, nuk po zbatohet.
“Jemi këtu për të shprehur pakënaqësinë me ofrimin e shërbimeve tepër të këqija nga kompania që menaxhon me mbeturinat këtu në Drenas, pra ‘Pastrimi’. Kohëve të fundit nuk është çështje ditësh ose javësh, është çështje muajsh, që kjo kompani nuk po u shërben qytetarëve konform kontratës që e ka me ta. Pra, qytetarët po e paguajnë shërbimin dhe nuk po e marrin atë, sepse ndodh që ishte dashur brenda javës të mblidheshin mbeturinat, ndërsa ata e bëjnë brenda muajit”, ka thënë Drenori.

Iniciativa Qytetare që ka dy asamblistë në Kuvendin Komunal ka shtuar se do të kërkojë sqarim me shkrim nga Komuna lidhur me gjendjen e krijuar me mbeturina.
Në Komunën e Drenasit ndodhet edhe një stacion transferues i mbeturinave, por gjatë kohës sa aty ka qëndruar ekipi i KOHËS mbeturinat nuk barteshin, por qëndronin të grumbulluara. Nga nisma “Green për Drenasin”, një gjë e tillë u cilësua si dëshmi e radhës për “keqmenaxhim”, pasi që stacioni shërben vetëm për transferim të mbeturinave dhe jo edhe për deponi.
Kryeshefi i kompanisë “Pastrimi”, Burim Kelmendi, ka thënë se 900.000 euro është shuma që banorët e Drenasit ia kanë borxh kompanisë, derisa ka shtuar se problem për kompaninë është edhe riparimi i automjeteve të prishura.

Megjithëkëtë, ai është zotuar se problemet në Drenas do të evitohen.
“Kemi ende probleme se janë shumë makineri, shumë defekte, por kemi arritur që t’i kalojmë shumë prej tyre në kontroll teknik. Edhe furnizimi me pjesë është tash më i vështirë. Këtë vikend do ta bëjmë largimin e pikës së transferit, kurse mosshërbimi në disa fshatra ka ndodhur ndoshta edhe për arsye të neglizhencës, sepse kemi mundur që ta bëjmë një ndërrim të natës ose zëvendësim të ndonjë orari”, ka thënë Kelmendi.

Akuzave për degradim nuk u është përgjigjur Komuna e Drenasit, porse ka konfirmuar shqetësimet e “Green për Drenasin”. Nga Komuna kanë thënë se do të angazhohen me seriozitet për t’iu bërë zgjidhje qytetarëve dhe se për këtë arsye i ka dërguar edhe vërejtje me shkrim menaxhmentit të kompanisë. Kanë paralajmëruar edhe masa ndëshkimore ndaj kompanisë së pastrimit, po që se ajo nuk i përmbush kushtet e kontratës.

“Në sqarim kemi njoftuar kompaninë ‘Pastrimi’ që të marrë masat e nevojshme dhe të fillojë grumbullimin e menjëhershëm të mbeturinave, sepse në të kundërtën do të jemi të detyruar që të ndërmarrim masa të tjera gjobëvënëse për mospërmbushjen e kushteve të parapara me kontratë. Tashmë jemi të informuar se ka filluar grumbullimi i mbeturinave dhe në shumicën e vendeve edhe është kryer. Për sqarim: Stacioni Transferues i Mbeturinave nuk menaxhohet nga Komuna e Drenasit, por nga KRM ‘Pastrimi’, e cila deponon sasi javore të mbeturinave dhe më pastaj i përcjell për në Mirash”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Sipas Komunës, faktor rëndues i gjendjes me mbeturina ishte sasia e mbeturinave të krijuara nga nata e Vitit të Ri. Kjo sasi thuhet të ketë qenë dy apo trefish më e madhe se ajo e zakonshmja.

Bazuar në të dhënat e Institutit GAP, Komuna e Drenasit gjatë vitit të kaluar është renditur e 20-ta në nivel të Kosovës në fushën e menaxhimit të mbeturinave.