Arbëri

BE: Mizoritë e kryera në Reçak janë të dokumentuara, s'ka vend për mohim

Descriptive Text

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka thënë se Masakra e Reçakut nuk mund të mohohet për atë që ndodhi atje më 1999.

Këto komente ai i bëri pasi ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, e quajti “gënjeshtër të madhe dhe falsifikim” vrasjen e civilëve shqiptarë në Reçak.

“Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar 1999 janë të dokumentuara mirë. Mohimi është në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe në kundërshtim me projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”.

Tutje në përgjigjen dërguar KOHËS, Stano thotë se autoritetet në rajon duhet të punojnë për vlerësimin e sinqertë të së kaluarës në respekt të viktimave.

“Rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të marrëdhënieve. E ritheksojmë se nuk ka vend për të mohuar apo për ta nënvlerësuar atë që ndodhi në Reçak”, ka thënë Stano.

Sipas tij, nevojitet bashkëpunim kuptimplotë rajonal dhe marrëdhënie të mira fqinjësore për të kapërcyer të kaluarën dhe për të nxitur në mënyrë konstruktive besimin reciprok, dialogun dhe tolerancën në rajon, “duke shmangur veprimet dhe deklaratat që janë kundër këtij qëllimi”.

Më tej tha se i takon gjykatave të përcaktojnë nëse deklarata të tilla përbëjnë vepra penale.

Vulin ka thënë gjatë ditë se kjo masakër ishte fyerje për njerëzimin, ndërsa shtoi se bombardimet e NATO-s filluan me shkasin e një gënjeshtre.

“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë dhe as të zgjuar për t'i treguar gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte. Detyra e këtij brezi është t'i tregojë gjithë botës se na bombarduan dhe na bënë kriminelë falë gënjeshtrës dhe se gjaku i fëmijëve tanë është mbi ata që e shpikën këtë gënjeshtër", ka thënë Vulin teksa e njëjta deklaratë citohet nga mediat serbe si e lëshuar nga Ministria e Brendshme.