Arbëri

Hasani: Moszgjidhja e çështjeve me Serbinë çon në izolim

Profesori i të drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, ka thënë se ajo që deklaroi kryeministri Albin Kurti sot në konferencë me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është deformim i realitetit.

Në Deskun e KOHËS, Hasani ka thënë se ajo që duhet të shikojë Kosova përpara është detyrimi ndërkombëtar që ka marrë. Sipas tij, moszgjidhja e çështjeve me Serbinë dhe dialogu i zgjatur e çon Kosovën në izolim.

“Çështja e asociacionit duhet të shtrohet më shumë se çfarë detyrimi ndërkombëtar ka marrë Kosova. Deklarata e Borrellit sot është mjaft serioze sepse ajo përmban disa elemente, e para tregon qartë që e kemi detyrim kushtetues dhe nuk bëhet fjalë për marrëveshjes e 2015-s sepse ajo është elaboruar nga Kushtetuesja”.

“Është deformim i realitetit sado i hidhur të jetë, duhet të shihet në sy atë realitet. Nëse ai realitet është i tillë është se këtu ekziston një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme që njeh standardin e të gjitha shteteve kur janë shkëputur nga shtetet e tjera”.

Hasani shtoi se “është më e dobishme të diskutohet çka po duan serbët në Beograd, jo serbët lokalë”.

Tha se marrëveshja e 2013-s nuk tregon se çfarë asociacioni duhet të bëhet, as kompetencat. Sipas tij, duhet arritur konsensus i brendshëm dhe të vendosen vijat e kuqe të cilat definohen kur bëhet i qartë qëllimi i Serbisë karshi Kosovës.

“Nuk mund të shkohet si problem i hapur i pafund, duhet të gjendet një zgjidhje”, tha ai për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne kemi detyrim ndërkombëtar, ata që po e lehtësojnë dialogun në raporto me asamblenë e përgjithshme, me i zgjidhë problemet e ngelura të GJND-së me dialog. Me logjikën bardh e zi, jo nuk dua, përveç që shkon drejt izolimit, pastaj edhe kur ulesh nuk ka më a don ta formosh por do ta formosh me kushtet e tij. Duhet një konsensus i brendshëm”, tha ai.