Arbëri

Po hetohen dy-tri pista për rastin në Gllogjan, Policia thotë se s’bëhet fjalë për akt terrorist

Descriptive Text

Në dy ose tri pista janë duke u kryer hetime për rastin e vrasjeve që ndodhën të premten në Gllogjan, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Të premten rreth orës 19:00, si pasojë e disa të shtënave me armë zjarri në drejtim të autobusit në fshatin Gllogjan të Deçanit, humbën jetën tre persona ndërsa një tjetër u plagos. Dy nga tre të vdekurit janë nxënës, kurse tjetri ishte shoferi i autobusit.

Në një konferencë për media, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se autoritetet kanë marrë informacione të shumta, të ndryshme, dhe se Policia po i trajton disa pista.

“Qytetarët për çfarëdo informacioni në zbardhjen e rastit t’i drejtohen policisë, prokurorisë që rasti të zgjidhet sa më parë. Tashmë kemi informacione të ndryshme të ardhura në rrugë të ndryshme që policia nën direktivat e prokurorisë është duke i trajtuar një për një. Janë duke u trajtuar disa pista që policia po i heton”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Sveçla ka thënë se kanë vënë të gjitha kapacitetet në zbulimin e këtij rasti. Shtoi se Policia po koordinohet me AKI-në dhe akterët tjerë që rasti të zbulohet sa më shpejtë.

Ndërkaq drejtori i përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti, ka thënë se aktualisht në vendin e ngjarjes po bëhen ekzaminime, pastrimi i terrenit dhe shikimi i detajuar.

“Fatkeqësisht kemi pas mot të keq gjatë gjithë kohës që na ka penguar dhe pamundësuar që disa mjete teknike dhe të tjera që ndihmojnë në gjetjen e gjurmëve... Është dashtë që pastrimi i terrenit të fillojë me vonesë. Jemi duke u përballur me numër të konsiderueshëm të rastit. Kemi sjell njësi shtesë e ekspertë të ndryshëm të niveleve të ndryshme që t’i trajtojnë informacionet e të bëhet ekzaminimi më i shpejtë i provave që i kemi gjetur apo mund të gjenden... Ne mund të flasim për një sistem të diku dy apo tri pistave të mundshme të hetimit”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, dyshimet fillestare janë se vepra është kryer nga një person i vetëm, por se ekzistojnë mundësitë e ndërlidhjes me më shumë persona të tjerë.

“Në kuptimin e qarkullimit të personit po ekzaminohen provat e mundshme teknike që do të na tregojnë saktë se nga ka ardhur e nga ka mundur të shkojë. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe gjendjes si ka ndodhur rasti, po përpunojmë çdo rast. Janë dy ose tri pista të ndryshme, mund të jenë dy ose tri motive të ndryshme. Po i përpunojmë informacionet që po i marrim nga njerëzit që mund të kenë lidhje rrethanore ose direkt me rastin. Po u bashkëngjiten edhe provat teknike. Është herët të themi se ky do të ishte motivi, por rrethanat e dëshmitë që po vijnë do të na sjellin te motivi potencial”, ka deklaruar ai.

Me hetimet e deritashme, Mehmeti ka përjashtuar mundësinë që rasti të ketë qenë akt terrorist.