Arbëri

Kurti: Në VV ka defekte të brendshme strukturore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke komentuar rezultatin e zgjedhjeve lokale, ka thënë se në subjektin që udhëheq ai, Vetëvendosje, ka defekte të brendshme strukturore.

Ai ka thënë sot, kur prezantoi ministrin e ri të Shënetësisë, Rifat Latifi, se të gjitha që këto që shënuan zgjedhjet lokale, do të analizohen.

Kurti tha se mbrëmë ka takuar 12 kandidatët që ishin në balotazh, e që katër prej tyre fituan në komunat ku garuan.

“Ajo që tashmë është e qartë është se në subjektin tonë politik që është rritur tej mase në 3-4 vjetet e fundit ka defekte strukturore dhe organizative. Nuk kemi struktura që i përgjigjen madhësisë. Ka defekte të brendshme. Të gjitha llojet dhe numrat e këtyre defekteve nuk mund t’ua them sot. Ka ekzistuar një bashkim i të gjitha subjekteve kundër LVV-së. Ka ekzistuar panik opozitar që janë bërë bashkë kundër LVV-së”, ka thënë ai.

I pyetur për kandidatin e LVV-së për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, i cili humbi garën, Kurti ka thënë se Vitia është kryetar i Qendrës së VV-së në Prishtinë dhe anëtar i Kryesisë së VV-së. Sipas tij, ai ka qenë person tejet i njohur në publik edhe para se të jetë ministër i Shëndetësisë.

“Cilat do të jenë angazhimet e tij në të ardhmen nuk mund të them, sepse kjo bëhet edhe sipas planeve që ka vetë ai”, ka thënë ai.

Duke folur për Iniciativën “Open Ballkan”, ai ka thënë se nuk ka ndryshuar qëndrimin e tij. Sipas tij, emërtimi është i gabueshëm dhe i pavërtetë.

“Për çështjen e energjisë në veri që nuk po paguhet, fajin e kanë strukturat ilegale të Serbisë atje. Licencimi i ‘Elektroserver’ është çështje e Zyrës së Rregullatorit. Për çështjen e rrymës në veri ne bisedojmë më Brukselin dhe jo Beogradin”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se takimet që po zhvillohen në Bruksel do të kenë në qendër çështjen e të pagjeturve dhe të zhdukurve me dhunë.

Ai ka thënë se takimi që është paralajmëruar me presidentin e Serbisë varet nga fakti se si do të shkojnë bisedimet këtë javë.

“Ne kemi shfaqur vazhdimisht gatishmëri për të takuar. Por marrëveshja e përgjithshme ka për qëllim njohjen e dyanshme”, ka thënë ai.

I pyetur për shtetasit rusë ai ka thënë se janë duke u zhvilluar hetimet.

“Policia e Kosovës dhe MPB-ja shpejtë do të japë njoftimet konkrete”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Kurti ka deklaruar se nuk ka mospajtime mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), dhe se çështja e ftesës për në Samitin për Demokraci, sipas tij, është keqinterpretuar.

“S’ka asnjë mospajtim ndërmjet KS dhe SHBA- Aleanca është e fortë dhe nuk lëkundet nga çfarëdo keqinterpretimi që bëhet por ka pasur një mbase moskuptimi lidhur me Samitin e Demokracive, sepse ftesa nuk është vlerësim e as pikëpamje, e këtë e ka vlerësuar Ambasada. Lidhja mes Kosovës dhe SHBA-së nuk varet për një pe, është shumë e fuqishme. Ftesa shumë mirë që erdhi por edhe mos të vinte nuk thotë gjë, theksoi ai në konferencë për media.