42 kandidatë për kryetarë komunash, që garojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, fushatën zgjedhore e nisin zyrtarisht më 8 nëntor. Por, përkundër kësaj, shumë kandidatë të partive të ndryshme politike tashmë e kanë filluar atë, duke dhënë premtime e duke u takuar me qytetarë.
Partitë politike, të cilat do të ballafaqohen edhe njëherë në balotazh për zgjedhjet komunale, nuk po mund të presin derisa të nisë zyrtarisht fushata zgjedhore.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët, që garojnë, të jetë vetëm 5 ditë, duke filluar nga 8 nëntori e deri më 12 nëntor.
Por, kandidatëve, që garojnë sërish për ulësen e të parit të komunës, siç duket, nuk u mjaftojnë vetëm 5 ditë. Shkaku është se menjëherë pas publikimit të rezultateve preliminare, kandidatët për kryetar komunash kanë filluar me premtime e me takime me qytetarë.
Përkundër interesimit të KOHËS, për mënyrën se si do zhvillohet fushata 5 ditore në raundin e dytë, dhe a do të ketë tubime si në fushatën e zgjedhjeve të 17 tetorit, PDK-ja, Lëvizja Vetëvendosje e AAK-ja nuk kanë kthyer përgjigje.
Derisa, nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë thënë se ende nuk kanë vendosur për mënyrën e zhvillimit të fushatës.
Përkundër masave anti-Covid, shumica e kandidatëve për kryetarë të komunave, që ishin në garë në raundin e parë, për më shumë se 30 ditë, i shkelen ato, edhe pse vëmendje të madhe i kushtuan fushatës në rrjete sociale.
Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, në raundin e parë 17 komuna janë bërë me kryetarë, teksa 21 të tjera do ta zgjedhin atë në raundin e dytë, që do të mbahet më 14 nëntor.