Arbëri

Demolli: Të ndalet mendësia patriarkale në institucionet e drejtësisë

Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore është shprehur e shqetësuar lidhur me dy rastet e fundit të dhunës ndaj grave në Kosovë, ku në njërin rast, u dënua me 8 muaj burgim dhunuesi i një 15-vjeçareje në Pejë, ndërkaq në tjetrin, një burrë sulmoi fizikisht një grua në një supermarket të Prishtinës.

Demolli ka thënë në “DESKU” të KTV-së se kjo ndodh për shkak të mendësisë patriarkale në Kosovë.

Sa i përket rastit të Pejës, Demolli ka thënë se institucionet e drejtësisë dështuan të sjellin drejtësi.

Ajo ka kërkuar hetuesi në këtë rast, duke shtuar se duan të dinë saktë se çka ka ndodhur.

“Për mua dy rastet janë shqetësuese, rasti i vajzës së Pejës është shqetësuese sepse lidhet drejtpërdrejtë me institucionet e drejtësisë, ato dështuan ta sjellin atë drejtësi. Dënimi me aq pak muaj burgim ndaj dhunuesit i bie që shteti nuk po e dënon ashtu siç duhet dhunuesin. Për këtë rast nuk do të duhej fare që të pritej 10 vite për tu dënuar një dhunues seksual. Çka po u themi grave dhe vajzave të reja kur u ndodh dhuna. Ne duam hetuesi për rastin, duam të dimë saktë se çka ka ndodhur sepse duam ta ndalim mendësinë patriarkale në institucionet tona duke filluar nga Parlamenti, Prokuroria, Gjyqësia e deri te zyrtari më i thjeshtë”, ka thënë Demolli.

Ajo ka bërë thirrje që organet e drejtësisë të kryejnë punën e vet në mënyrën më të mirë të mundshme, në mënyrë që shteti të ecën përpara.